Marina ruse nis stërvitje të madhe ushtarake në Detin e Veriut

Flota Veriore e Rusisë filloi sot stërvitjen ushtarake me qëllim forcimin e mbrojtjes së sovranitetit të vendit në ujërat e Rrugës së Detit të Veriut (NSR), transmeton Anadolu.

“Gjatë stërvitjeve, nën udhëheqjen e komandantit të flotës, admiral Alexander Moiseev, do të testohen opsione të ndryshme për menaxhimin e forcave të flotës gjatë kryerjes së detyrave për mbrojtjen e sovranitetit të Federatës Ruse në ujërat e NSR”, njoftoi shërbimi për media i Marinës Ruse.

Në stërvitje marrin pjesë më shumë se 8.000 ushtarë, 20 anije luftarake, nëndetëse dhe anije ndihmëse si dhe 5 avionë dhe deri në 50 njësi me pajisje luftarake dhe speciale.

Në njoftimin për media thuhet se qëllimi i trajnimit është vlerësimi i koordinimit të njësive dhe forcave të flotës gjatë zbatimit praktik të detyrave.

Personeli do të trajnohet për izolimin e zonës së operacionit, bllokimin dhe shkatërrimin e grupeve diverzante-vëzhguese.