Marka kineze e veturave prodhon tablet

BYD ka njoftuar zhvillimin e tabletit të vet, duke zgjeruar më tej integrimin e vet vertikal.

Ky gjigant i prodhimit të automjeteve elektrike bëri të ditur sot se tableti i tyre i parë, i zhvilluar tërësisht brenda kompanisë, do të përdoret në modelin SUV hibrid Tai 7, të nën-markës Fang Cheng Bao, e cila fokusohet në personalizim.

Sipas BYD-së, pajisja do të mbështesë lidhjen me sistemin e automjetit Tai 7, duke mundësuar bashkëpunimin në disa ekrane, raportojnë mediat kineze.

BYD nuk ka publikuar informacione të tjera mbi tabletin. Tai 7 do të dalë në shitje në tremujorin e katërt të vitit, dhe dje doli nga linja e prodhimit modeli i parë SUV hibrid i prodhuar në seri nga Fang Cheng Bao. Ky model është i dyti në serinë Tai, pas Tai 3, dhe është më i orientuar drejt nevojave të ngasjes urbane.

Zhvillimi nga BYD i një tableti të vetin vjen në një moment kur konsumatorët kinezë po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë ndërlidhjen mes sistemeve të informacionit në automjete.

Kompanitë Xiaomi dhe Huawei konsiderohen lidere në ofrimin e një përvoje superiore në këtë fushë, duke qenë tashmë gjigantë në elektronikën për konsumatorë.

Nuk është ky i vetmi brend që përpiqet të tërheqë klientë përmes ndërlidhjes më të mirë mes pajisjeve dhe makinave. NIO, për shembull, ka prezantuar tashmë dy gjenerata të telefonave Nio Phone.