Markoviq reagon për demarkacionin, ka një mesazh për Qeverinë e Haradinajt

Dushko Markoviq ka thënë se Mali i Zi nuk do të bisedojë edhe njëherë me qeverinë kosovare për çështjen e demarkacionit mes dy shteteve. Kryeministri malazez tha sot se “Mali i Zi e ka kryer punën e saj, sa i përket demarkacionit”.

” Unë dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështjeje, sidomos të jenë të përgjegjshëm ndaj Malit të Zi si shtet mik i cili e ka mbështetur Kosovën e i ka mirëkuptuar rrethanat atje.

Mali i Zi ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit”, ka thënë Markoviq, shkruan mediumi nga Mali i Zi, Vijesti.

“Çështja e ratifikimit të marrëveshjes është në kompetencë te institucioneve të Kosovës, shpresoj që rreth saj të sillen me përgjegjësi dhe të jenë azhur.

I kuptoj rrethanat në Kosovë por Podgorica ka bërë të gjithën që është pjesë e saj dhe se për këtë çështje më nuk do të bisedohet qoftë edhe për një centimetër”, ka thënë Markoviq.

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj ka insistuar se do të bisedojë me Malin e Zi për çështjen e demarkacionit.
Ai ka emëruar një komision të ri shtetëror për këtë çështje, një ditë pasi ishte emëruar në postin e shefit të ekzekutivit. /Mesazhi/