Është rritur në 37 numri i viktimave nga përmbytjet dhe stuhitë e forta që goditën qytetin Safi të Marokut, transmeton Anadolu.
Kushtet e pafavorshme të motit shkaktuan dëme të konsiderueshme, humbje jetësh dhe ndërprerje të transportit në pjesë të ndryshme të vendit. Disa zona bregdetare janë të përmbytura ndërsa reshjet e dendura të dëborës në rajonet e brendshme dhe më të larta ndërprenë përkohësisht qarkullimin në shumë vendbanime.
Sipas agjencisë zyrtare marokene të lajmeve MAP, një deklaratë me shkrim nga guvernatori i qytetit Safi dha informacion të azhurnuar lidhur me kushtet e rënda të motit dhe përmbytjet masive pasuese që goditën rajonin vonë mbrëmjen e djeshme.
Në deklaratë theksohet se deri më tani janë regjistruar 37 humbje jete.
Autoritetet deklaruan se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje dhe se janë marrë masat e nevojshme për sigurinë në zonat e prekura nga përmbytjet dhe se vazhdon mobilizimi me qëllim për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për qytetarët e prekur nga katastrofa.
Më tej thuhet se dje në Marok u përjetuan përmbytje dhe vërshime nga uji kryesisht në zonat bregdetare ndërsa në zonat e brendshme dhe më të larta reshje të dendura dëbore.

