Marrja – turpi

Rejhan Neziri

Një prej virtyteve e vetive bazë që duhet t’i ketë besimtari në personalitetin e tij të plotë islam është ndjenja e turpit, e marres. Turpi është shenjë e vërtetë e natyrës së njeriut. Ai flet për vlerën e besimit që ka njeriu dhe për shkallën e kulturës së tij. Prandaj, kur e sheh një njeri se ngushtohet nga veprimi i asaj pune që nuk duhet ta bëjë, apo e sheh se skuqja e turpit e përshkon fytyrën e tij kur prej tij del diçka e pahijshme, dije se ai njeri ka ndërgjegje të zgjuar, iman të plotë, natyrë të pastër dhe prejardhje fisnike. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo fe ka moralin e vet, kurse morali i Islamit është turpi” (Maliku). Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu të ketë thënë: “Pejgamberi ishte më i turpërueshëm sesa vajza beqare në dhomën e vet, kurse kur urrente diçka, këtë e vërenim në fytyrën e tij” (Muslimi).

Sipas mësimeve islame, turpi është i lidhur ngushtë me besimin, andaj njeriu i cili ka besim-iman tek ai do ta gjesh edhe turpin-marren, kurse tek ai i cili nuk ka iman ose e ka imanin të dobët, nuk do të gjesh fije turpi. Pejgamberi a.s. thotë: “Turpi dhe besimi janë ortakë (binjakë): nëse mungon njëri, mungon edhe tjetri” (Hakimi).

Shkaku i kësaj është se kur njeriu e humb turpin, ai fillon të ecë nga e keqja në një të keqe më të madhe dhe vazhdon derisa të përfundojë në shkallën më të ulët. Shikoni si e sqaron Pejgamberi a.s. këtë rënie të besimtarit në një hadith të tijin:

“All-llahu i Lartësuar, kur dëshiron ta poshtërojë një njeri, ia largon atij turpin. E kur i hiqet atij turpi, atëherë do ta shohësh vetëm të urrejtur; e kur do ta takosh të tillë, prej tij largohet edhe besnikëria; e kur të largohet prej tij besnikëria, do ta shohësh atë vetëm tradhtar të madh; e kur do të jetë vetëm i tillë, atëherë prej tij do të largohet edhe mëshira; e kur të largohet edhe mëshira, ti do ta shohësh atë të braktisur e të mallkuar; e kur ta shohësh të këtillë, atëherë ai do të dalë prej lidhjes së fesë” (Ibni Maxhe).

Kjo është një renditje precize e sëmundjes së shpirtit dhe e periudhave që pasojnë. Andaj, njeriu i cili e gris perden e fytyrës së vet (pra, marren), ai nuk bën llogari për punët që i kryen dhe as që ka dert se po qortohet për sjelljet e veta. Ai ua shtrin dorën e vet të dëmit dhe i bën padrejtësi çdonjërit që është nën pushtetin e tij dhe merr nëpër këmbë çdo vlerë njerëzore, morale e humane. Për të nuk ka kufij të së keqes, prandaj vetëm mos i rrafsh në duar atij të paturpshmit, sepse të shkel me gjithë çka ke. Ai e bën këtë ngase ai fillimisht nuk ka turp e marre as edhe prej Zotit, i Cili Zot e sheh se ç’bën e si sillet dhe i Cili Zot do ta marrë në përgjegjësi në botën tjetër, por i Cili edhe mund ta nënçmojë deri në pafund edhe në këtë botë, siç e sqaronte këtë edhe hadithi i Pejgamberit a.s..

Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: Besimi (imani) ka shtatëdhjetë e disa degë, më e larta është fjala ‘La ilahe il-lall-llah’ (nuk ka zot tjetër pos All-llahut), kurse më e ulëta është largimi i gjembave e therrave nga rruga, e edhe turpi është një degë e imanit”.

Dridhja e njeriut dhe ndryshimi i ngjyrës së fytyrës së tij në disa raste, është argument i një lartësie të fshehtë dhe natyre fisnike. Ndërkaq, nëse ngjyra e turpit të bie prej fytyre, ashtu siç bie lëvorja e gjelbër nga dega e butë, atëherë e ke shkatërruar jetën e vyeshme dhe je në atë gjendje për të cilën thotë Pejgamberi a.s. se e ka thënë secili pejgamber para tij, e që është: “Nëse nuk ke turp, bën çka të duash!”

All-llahu xh.sh. na stolistë me këtë petk të mirë të imanit islam e kurrë mos na zbuloftë maret e turpet tona, dhe na drejtoftë në të mbarën e shpëtimin! AMIN!

 

Nga: Rejhan Neziri