Nëntëmbëdhjetë persona janë dënuar për një sulm në një sallë koncertesh pranë Moskës që vrau 149 njerëz dhe la mbi 500 të plagosur, sulmi më i rëndë me armë në Rusi në dy dekadat e fundit.
Një gjykatë ushtarake ruse dha dënime me burgim të përjetshëm për katër sulmuesit dhe 11 bashkëpunëtorë të tyre. Katër të pandehur të tjerë u dënuan me nga 19 deri në 22 vite burg.
Sulmi në Crocus City Concert Hall, në periferi të kryeqytetit rus më 22 mars 2024, filloi me të shtëna armësh përpara se sulmuesit t’i vinin zjarrin godinës.
Një degë e grupit Shteti Islamik (IS) pranoi se e kishte kryer sulmin dhe publikoi video si provë. Moska ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për përfshirje, një pretendim i mohuar nga Kievi.
Rreth 6 mijë persona ndodheshin në auditorin e Krasnogorskut për një koncert rock në mbrëmjen e sulmit, kur sulmuesit hynë në kompleks dhe nisën të qëllonin pa dallim.
Sulmuesit më pas ndezën zjarre që përfshinë godinën dhe shkaktuan shembjen e çatisë. Shumë nga viktimat vdiqën nga plagët e armëve, ndërsa disa nga thithja e tymit.
Katër burrat e dënuar për kryerjen e të shtënave janë identifikuar si shtetas të Taxhikistanit.
11 të tjerë që morën burgim të përjetshëm u shpallën fajtorë për ndihmën ndaj sulmuesve me para dhe armë ose për lidhje me grupe terroriste. Katër persona të tjerë u dënuan pasi u kishin shitur një makinë sulmuesve dhe i kishin ndihmuar për marrjen me qira të një apartamenti. Nuk është e qartë nëse ata do të apelojnë vendimet.
BBC shkruan se gjykimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka gjasa që rrëfimet të jenë bërë nën presion. Kur burrat u shfaqën për herë të parë në gjykatë dy vite më parë, ata tregonin shenja të dukshme dhune dhe njëri u soll në gjykatë me karrocë invalidësh.
IS-K, grupi që pranoi sulmin, është një degë e IS-it që synon të krijojë një kalifat mysliman në Afganistan, Pakistan, Turkmenistan, Taxhikistan, Uzbekistan dhe Iran.
Videoja grafike e publikuar nga IS, që tregonte sulmuesit duke qëlluar mbi turmën brenda sallës së koncertit, u verifikua si autentike nga BBC.
Zyrtarët rusë kanë vazhduar të pretendojnë se Ukraina ishte e lidhur me sulmin, fqinj me të cilin Rusia është në luftë që nga pushtimi i plotë i vitit 2022. Por asnjë provë nuk është dhënë për këto pretendime.
Zyrtarët ukrainas e mohojnë fuqishëm çdo lidhje. Presidenti Volodymyr Zelensky më parë ka thënë se ishte “absolutisht e parashikueshme” që presidenti rus Vladimir Putin do ta fajësonte Ukrainën.





