Mbi 20 të vrarë në një sulm me bombë afër Ministrisë së Jashtme afgane

Të paktën 20 persona dyshohet se janë vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë të mërkurën jashtë Ministrisë së Jashtme afgane në Kabul, raportoi BBC-ja.

Numrin e të vdekurve e bëri të ditur një zyrtar taleban edhe pse policia zyrtarisht ka njoftuar se të vdekur kanë mbetur të paktën pesë civilë.

“Sulmi ndodhi rreth orës 16:00 me orën lokale kur bombarduesi u përpoq, por nuk arriti të hynte në vetë ndërtesën e ministrisë”, kanë thënë talebanët.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, ndërsa në këtë zonë janë të vendosura ambasadat e disa vendeve, duke përfshirë Turqinë dhe Kinën.

Siç bëhet e ditur deri më tani 40 persona të plagosur janë dërguar për trajtim, ndërsa numri i tyre po rritet.

Policia e Kabulit ka deklaruar se autorët e këtij sulmi do të mbahen përgjegjës. /koha