Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania janë shprehur “thellësisht të shqetësuar” nga raportimet për dhunë nga forcat e sigurisë iraniane në protesta dhe kanë “dënuar fuqishëm” vrasjen e protestuesve, transmeton Anadolu.
“Autoritetet iraniane kanë përgjegjësi të mbrojnë popullsinë e tyre dhe duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor pa frikë nga ndëshkimi. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve iranianë”, theksuan tre vendet në një deklaratë të përbashkët.
Irani është tronditur nga protesta që nisën më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, epiqendrën e aktivitetit tregtar të kryeqytetit, për shkak të rënies së ndjeshme të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.
Më pas, këto demonstrata u përhapën në disa qytete në të gjithë vendin.
Autoritetet nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktimat, por Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) ka njoftuar se të paktën 42 persona janë vrarë, përfshirë katër anëtarë të forcave të sigurisë.
Agjencia gjithashtu raportoi dhjetëra të plagosur dhe 2.217 arrestime.
Sipas raporteve në media, tetë anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) gjithashtu u vranë në protestat e së enjtes në qytetin perëndimor Kermanshah. Lajmi për vrasjen e anëtarëve të forcës IRGC u publikua sot nga Al Jazeera në platformën amerikane të mediave sociale X, duke cituar agjencinë Fars News.







