Mbreti i Jordanisë: Shkeljet e Izraelit ushqejnë ekstremizmin

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, deklaroi se shkeljet e Izraelit kundër palestinezëve po ushqejnë ekstremizmin, duke kërcënuar sigurinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Oborri Mbretëror i Jordanisë, Abdullahu II foli në samitin “Thirrja për veprim Christchurch” mbi luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit ndërkombëtar, të organizuar nëpërmjet videokonferencës.

Duke deklaruar se shkeljet e Izraelit kundër Xhamisë Al-Aksa dhe palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar kërcënojnë sigurinë, ushqejnë ekstremizmin dhe rrisin gjuhën e urrejtjes, mbreti Abdullah paralajmëroi se mosgjetja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë të çështjes palestinezo-izraelite do të kishte pasoja të padëshiruara.

Ai theksoi se mungesa e drejtësisë dhe horizonteve politike ndezën zjarrin e ekstremizmit dhe kështu terroristët tërhoqën më shumë mbështetës në radhët e tyre, duke tërhequr vëmendjen për ngritjen e radikalizmit dhe terrorizmit në nivelin global.

Ndryshe, në shumë qytete të Jordanisë dje u organizuan protesta në mbështetje të popullit palestinez. /aa