Kolonët detyrojnë zhvarrosjen e një palestinezi në Bregun e Perëndimor…
Një skenë që kapërcen kufijtë e imagjinatës njerëzore dhe etikës universale ka ndodhur të premten në veri të Bregut Perëndimor.
Një grup kolonësh izraelitë, në një akt të pastër profanimi, kanë detyruar banorët e fshatit Al-Asasa të gërmojnë dhe të nxjerrin nga dheu trupin e një palestinezi të sapovdekur, me pretendimin absurd se vendprehja e tij ishte “tepër afër” vendbanimit të tyre, Sa-Nur.
Ky akt i rëndë ka ndodhur pavarësisht faktit se varrimi ishte i koordinuar dhe i miratuar deri në detaje me forcat izraelite të sigurisë (IDF). Megjithatë, për kolonët radikalë, as lejet zyrtare ushtarake dhe as shenjtëria e vdekjes nuk kanë pasur peshë përballë agjendës së tyre ekspansioniste.
Kur trupat e ushtrisë izraelite mbërritën në vendngjarje, u përballën me një situatë kaotike. Civilë izraelitë, të pajisur me mjete gërmimi, kishin filluar të dhunonin varrezën, ndërsa familjarët e të ndjerit përpiqeshin me dëshpërim të mbronin trupin e njeriut të tyre të dashur.
Ushtria konfirmoi formalisht se u detyrua të “konfiskonte lopatat” dhe mjetet e tjera nga duart e kolonëve për të parandaluar një përshkallëzim të përgjakshëm.
Por nën presionin e egër dhe në kushtet e një pasigurie totale, familja palestineze u detyrua të bënte të paimagjinueshmet: të tërhiqte trupin nga varri i sapohapur dhe ta transferonte atë për një varrim të dytë në një fshat fqinj.
Ky poshtërim i dyfishtë – humbja e jetës dhe pamundësia për të pushuar në paqe – ka ndezur një valë zemërimi në të gjithë rajonin. Ky incident makabër nuk është thjesht një shpërthim spontan dhune, por vjen në një moment politik tepër delikat.
Vetëm pak ditë më parë, autoritetet izraelite dhanë dritën jeshile për ri-popullimin e Sa-Nur, një vendbanim që ishte braktisur në vitin 2005. Miratimi retroaktiv për ndërtimin e 126 shtëpive të reja shihet si një fitore e krahut radikal dhe si një mjet për të copëtuar më tej unitetin territorial të komuniteteve palestineze në Zonën C.
Ndërsa Bregu Perëndimor vlon nga tensionet, brenda komuniteteve arabe po rritet një tjetër kryengritje, ajo kundër krimit dhe neglizhencës shtetërore.
Aktivistët kanë akuzuar policinë izraelitë se po lejon që “kaosi të sundojë rrugët”, duke e cilësuar dhunën jo si fat, por si produkt të drejtpërdrejtë të politikave diskriminuese të Tel Avivit.
“Ajo që pamë sot në Sa-Nur është pasqyra e një sistemi ku jeta dhe vdekja e tjetrit nuk vlejnë asgjë”- u shpreh një përfaqësues i shoqërisë civile.
Në mesin e thirrjeve për profesionalizëm të policisë dhe ndaljes së vrasjeve, ky incident i zhvarrosjes mbetet një njollë e zezë që tregon se në këtë konflikt, sionistët nuk po kursejnë as mbi varret e të vdekurve. \tesheshi


