Mejtepi i Ramazanit

Mehmet Gormez

Nje analize e bukur rreth agjerimit nga hoxha i njohur, Prof. Dr. Mehmet Gormez

MEJTEPI I RAMAZANIT

Mehmet Gormez

Hyrje

Ashtu si çdo gjë në tokë ka një qëllim krijimi, edhe njeriu i cili u krijua si krijesa më fisnike, ka një qëllim. Ky qëllim është vendosja e të vërtetës dhe drejtësisë. Adhurimet tona ekzistojnë për të realizuar këtë qëllim dhe për të edukuar vullnetin tonë në këtë rrugë. Nga falja e pesë kohëve të namazit në ditë deri te tehexhxhudi nafile (namazi fakultativ natën), çdo gjë, nga bamirësia më e vogël deri te akti i zekatit, nga njëra anë kontribuojnë në formimin e rendit shoqëror, dhe nga ana tjetër, edukojnë vullnetin e individit. Vullnetet që nuk edukohen me adhurim janë të dënuara të jenë skllevër, fillimisht të tekave, dëshirave, kërkesave, djallit dhe më pas të njerëzve të tjerë. Vetëm me një edukim të tillë, vullnetet fitojnë lirinë e tyre të vërtetë. Vullnetet që nuk janë të lira mund të jenë vetëm skllevër.
Ky program edukativ, i cili shtrihet në të gjitha etapat e jetës njerëzore, është përshpejtuar një muaj në vit me urdhër të Krijuesit tonë. Gjithashtu nuk është rastësi që ky muaj përkon me muajin e Ramazanit, gjatë të cilit ka zbritur Kur’ani famëlartë.
Ramazani është një mejtep hyjnor njëmujor i cili mbahet çdo vit në të gjithë gjeografinë islame, pa ndërprerje, që nga viti i dytë i hixhretit të Profetit tonë të dashur nga Meka drejt Medines. Megjithatë, për një musliman, e gjithë jeta, dymbëdhjetë muajt e vitit, janë mejtep. Por, Ramazani është si një kurs i përshpejtuar brenda dymbëdhjetë muajve dhe si një shkollë trajnimi më intensive. Është një organizim që asnjë organizatë ndërkombëtare nuk mund ta bëjë. Si çdo shkollë, edhe shkolla e Ramazanit ka një qëllim dhe një program.
Qëllimi i Mejtepit të Ramazanit
Qëllimi i shkollës së Ramazanit fshihet në shprehjen “leal-lekum tet-tekun”, e cila del në vazhdim të ajetit që tregon obligueshmërinë e agjërimit. Kjo shprehje përkthehet si “për mbrojtjen tuaj” si dhe “për pastrimin tuaj”.
Profeti (a.s.) në një nga hadithet e tij ka thënë: “Turp për atë që arrin muajin e Ramazanit dhe nuk pastrohen mëkatet e tij”. Në një transmetim tjetër, shprehja “turp” është përdorur nga Xhibrili (a.s.) dhe Profeti (a.s.) i ka thënë amin. Një nga karakteristikat e Profetit të Islamit është se përveç se një ose dy ngjarjeve shumë të jashtëzakonshme, ai në jetën e tij nuk mallkoi askënd. Ndërsa këtu ka një qortim. Nëse njeriu e arrin Ramazanin por e lë pa u pastruar, turp për të. Sepse kjo dmth rezistim ndaj pastrimit. Një nga të këqijat më të mëdha në tokë është rezistenca ndaj pastrimit. Të rezistosh ndaj pastrimit do të thotë të mbyllësh zemrën ndaj bukurisë. Të rezistosh ndaj pastrimit do të thotë të mos arrish të marrësh frymë pranvere. Ramazani është një pranverë dhe njeriu duhet ta marrë frymë me të vërtetë. Të mos pastrohesh kur vjen Ramazani dhe të mos i nënshtrohesh kalitjes së Ramazanit është njëlloj si të vendosësh një perde mbi diell.
Sidomos në epokën tonë kur vërejmë mediat e shkruara dhe ato vizive, shoqërinë në të cilën
jetojmë dhe ngjarjet që ndodhin në botë, shohim me trishtim se njerëzimi është vërtet shumë i ndotur dhe ka shumë nevojë për pastrim. Sot, njerëzimi po kalon një provë vërtet të keqe në këtë pikë. Kjo është arsyeja pse Ramazani vjen i mbushur me mëshirë, falje, pastrim dhe devotshmëri. Por edhe kur të largohet, duhet të largohet i mbushur plot. Nga aspekti gjuhësor Ramazan do të thotë “zjarr përvëlues”. Prandaj Ramazani duhet ta djegë të keqen në mënyrë që njerëzimi të përfitojë prej tij.
Ramazani, agjërimi, liria dhe vullneti i lirë janë koncepte që duhen të analizohen bashkarisht. Vullneti është faktori më themelor që i dallon njerëzit nga krijesat e tjera të gjalla. Ai amanet që, siç thuhet në Kur’an se u është besuar qiejve e maleve, por që qiejt e malet nuk e marrin përsipër, por që njeriu e merr me vetëdije është pikërisht “vullneti”. Edhe pse vullneti është një vlerë që kalon brez pas brezi nëpërmjet trashëgimisë, ai është dicka që mund të ndryshojë vetvetiu ose që mund ta ndryshojnë. Është vullneti ai që e bën njeriun njeri. Megjithatë, vullneti është ai që i nënshtrohet më shumë ndërhyrjeve. Me ndërhyrje vullneti ose dobësohet dhe bëhet skllav, ose bashkohet me fuqinë dhe bëhet dominues. Ka vullnet të tillë që drejton të gjithë botën por ka edhe vullnet që bëhet skllav i një emocioni të thjeshtë.
Agjërimi është një adhurim që lidhet shumë me lirinë e njeriut. Ndoshta mund të lindë pyetja se çfarë lidhje ka me lirinë ndalimi i ngrënjes dhe pirjes? Prandaj, sqarimi i konceptit të lirisë do të ndihmojë në kuptimin e marrëdhënies midis agjërimit dhe lirisë njerëzore.
Dijetarët muslimanë e kanë trajtuar lirinë në tri pjesë: liri trupore ose fizike, liri civile ose politike dhe liri morale dhe të ndërgjegjes.
Liria fizike është përdorimi i trupit dhe organeve të tij sipas dëshirës pa hasur në asnjë pengesë apo detyrim. Kjo është forma më e thjeshtë e lirisë.
Një person që ka të gjitha të drejtat e fituara me lindjen ose më vonë, quhet i lirë dhe kjo formë lirie quhet liri civile (qytetare). Edhe liria politike lidhet me këtë dhe përbëhet nga të drejtat dhe pushtetet që sigurojnë lirinë qytetare.
Forma e tretë e lirisë është liria morale dhe e ndërgjegjes, që nënkupton lirinë e vullnetit. Kjo është liri në kuptimin që njeriu nuk i nënshtrohet dëshirave të egos së tij. Liria e mendimit dhe e ndërgjegjes dhe liria mendore nuk janë gjë tjetër veçse liria e vullnetit.
Rendi i tyre është nga i fundit tek i pari. Me pak fjalë, nuk mund të ketë liri politike dhe civile pa liri morale dhe liri ndërgjegjeje. Pa liri politike dhe civile nuk ka liri trupore dhe fizike. Prandaj, ka shumë njerëz në rrugë që mendojnë se janë të lirë, por në realitet nuk janë të lirë. Nga ana tjetër, ka shumë njerëz që janë në burgje dhe qeli, por ata në fakt janë të lirë. A ka ndonjë person aq të lirë sa Profeti Jusuf (a.s.), edhe pse ai ishte në pus? A ka ndonjë person aq të lirë sa Profeti Jusuf (a.s.), edhe pse ai ishte në burg? Prandaj, liria e vullnetit është e para ndër të gjitha liritë. Sepse nevojitet një vullnet i lirë dhe i fuqishëm për të mbrojtur të gjitha liritë tjera.
Në literaturën islame liria ka një kuptim krejtësisht të ndryshëm. Liri nuk do të thotë parregullsi dhe papërgjegjshmëri. Liri nuk do të thotë vetëm që një person të çlirohet nga skllavëria e dikujt tjetër apo thjesht të shpëtojë nga jetesa sipas urdhrave dhe udhëzimeve të dikujt tjetër. Një person që mund të sakrifikojë lehtësisht gjumin e tij dhe të frenojë dëshirat e tij më të natyrshme, si ngrënia dhe pirja, mund të veprojë shumë më aktivisht në emër të lirisë së tij. Gjëra të tilla si heqja e urisë dhe etjes janë të drejtat më të natyrshme të njeriut. Megjithatë, ndonjëherë njerëzit mund të sakrifikojnë të gjitha vlerat që i bëjnë ata njerëz për të pasur këto të drejta, madje të
heqin dorë nga liria e tyre më e vlefshme. Liria që Islami dëshiron t’u përftojë njerëzve në këndvështrimin Kur’anor (natyrisht, të qenët i lirë nga skllavëria, dominimi dhe hegjemonia e të tjerëve dhe të qenët i lirë është gjithashtu një liri shumë e rëndësishme) është kryesisht liria që nënkupton lirinë nga të qenët një shërbëtor dhe skllav i tekave dhe dëshirave të vetes. Në fakt, kjo liri është qëllimi i gjithë adhurimeve në Islam. Por kjo liri është më e madhe në agjërim. Sepse në agjërim ndërpriten për një kohë nevojat më të natyrshme të njeriut si ngrënia dhe pirja, të cilat janë pjesë e domosdoshme e jetës . Me fjalë të tjera, aftësia e një personi për të thënë “Unë i bindem urdhrit të Krijuesit në këtë pikë” dhe heqja dorë nga ngrënia dhe pirja i jep një liri krejtësisht të ndryshme njerëzve. Në këtë kuptim, ekziston një marrëdhënie midis lirisë së vullnetit dhe agjërimit. Prandaj, është e nevojshme të kuptohet shumë mirë qëllimi i shkollës së Ramazanit. Qëllimi kryesor i agjërimit është për t’u dhënë njerëzve një vullnet të lirë që është i edukuar dhe i çliruar nga dominimi i dëshirave të tyre njerëzore.
Programi i Mejtepit të Ramazanit
Programi i mejtepit të Ramazanit është një program tridhjetëditor. Ky program ditor fillon me syfyr. Besimtari regjistrohet në këtë program duke u ngritur për syfyr. Syfyri nuk ekziston në Kur’anin famëlartë. Në Kur’anin Famëlartë gjendet imsaku. Pikat kryesore të këtij programi janë përcaktuar nga vetë Zoti. Disa rregulla dhe disa detaje të këtij programit u përcaktuan nga Profeti (a.s.). Syfyri u përfshi në program nga vetë Profeti (a.s.). Është me të vërtetë një ngjarje e mrekullueshme që të gjithë besimtarët ngrihen për syfyr në një kohë të caktuar të natës dhe synojnë të agjërojnë për hir të Allahut. Syfyri është i rëndësishëm për njerëzit që nuk e durojnë fare urinë. Është i rëndësishëm për njerëzit që kanë nevojë të marrin ilaçet e tyre. Ka shumë gjëra të rëndësishme si këto. Por gjëja më e rëndësishme është të fillosh një adhurim duke qenë i zgjuar. Në një kohë kur i gjithë njerëzimi ka rënë në gjumin e gafletit (shkujdesjes), është me të vërtetë e rëndësishme të prishësh gjumin në orën e mëngjesit dhe të zgjohesh, të sjellësh mëshirë hyjnore në familje, të bashkosh anëtarët e familjes rreth tryezës dhe tu shtosh atyre gëzimin. Edhe agimi ka një vlerë të veçantë tek Allahu. Për këtë arsye, Profeti (a.s.) e përmendi syfyrin me konceptin e begatisë duke thënë: “Çohu për syfyr sepse ka begati në syfyr”.
Begatia përgjithësisht shpjegohet si një rritje e diçkaje. Në fakt, jo gjithmonë rritja e diçkaje është begati. Sepse shumë gjëra të vogla kanë vlerë shumë të lartë shpirtërore. Vlera e diçkaje nuk matet me bollëkun e saj. Vlera e diçkaje matet me kuptimin që shpreh. Prandaj, koncepti i begatisë është më shumë një koncept shpirtëror. Pejgamberi (a.s.) i dha syfyrit një kuptim shpirtëror duke e shprehur atë me konceptin “begati”.
Ka edhe një gjë tjetër të rëndësishme që e ka praktikuar Pejgamberi (a.s.). Që është falja në agim ndërsa zgjohesh për syfyr. Në traditën e Pejgamberit (a.s.), ky namaz mund të falet si tehexhxhud (namaz nate), si nafile (fakultativ) ose si kaza (zëvendësim i një namazi të pafalur). Kjo i lihet plotësisht në dorë individit.
Pejgamberi (a.s.) në një nga hadithet e tij tha: “Sigurohuni që të zgjoheni për syfyr, edhe nëse është me një gotë ujë.” Një nga qëllimet më të rëndësishme të syfyrit është, mbi të gjitha, zgjimi me natyrën. Të ringjallesh duke lënë mënjanë gjumin. Ndonjëherë nënat nuk duan t’i shqetësojnë fëmijët e tyre dhe nuk i zgjojnë për syfyr. Por është e nevojshme që fëmijët të mos privohen nga ky gëzim, edhe të zgjohen për syfyr vullnetarisht me bindjen e tyre.
Janë tre pika të rëndësishme në këtë program të përcaktuar nga Allahu xh.sh, që e bëjnë
agjërimin agjërim. Këto janë: lënia mënjanë e ngrënies, pirjes dhe disa dëshirave seksuale deri në kohën e iftarit. Cështjet si të mos flasësh fjalë të këqija, të mos grindesh kot, të mos thyesh zemrën e të tjerëve, të agjërosh siç ka agjëruar Merjemja (a.s.) janë përfshirë në program edhe nga vetë Profeti a.s.
Shkolla e Ramazanit ka në program edhe imsakun. Fjala Imsak do të thotë “të mbash”. Pejgamberi (a.s.) në një nga hadithet e tij ka thënë: “Allahu nuk ka nevojë që ju të hiqni dorë nga ngrënia dhe pirja”. Agjërimi nuk ka të bëjë vetëm me lënien e stomakut të uritur. Nëse njeriu duke nisur nga imsaku mund t’i mbajë të gjitha organet dhe të qëndrojë larg nga të gjitha llojet e të këqijave dhe mëkateve, pikërisht ky është imsaku dhe agjërimi i vërtetë. Madje edhe nëse vjen dikush dhe ju ngacmon. Për këtë rast Pejgamberi (a.s.) këshillon: “Thuaj, unë jam duke agjëruar”. Disa dijetarë islamë e kanë ndarë agjërimin në tri lloje. Agjërimi avam (Agjërimi i masës), agjërimi havas (agjërimi i të dalluarve) dhe agjërimi havassu’l-havas (të dalluarit e të dalluarve). Agjërimi duke mbetur vetëm i uritur dhe i etur është konsideruar si lidhja e një kafshe për një peme. Nëse një person kur agjëron, shan, ofendon, nuk kontrollon çfarë i del nga goja, mërzit, shtyp, bërtet, thërret, tallet, gënjen… Këto janë gjëra që janë në kundërshtim me urtësinë e agjërimit. Gjithashtu, muaji i Ramazanit nuk është si një rrëfim para priftit. Disa njerëz mund të mos shohin ndonjë dëm në kryerjen e veprave të këqija në muajt jashtë Ramazanit, mjafton që nuk i kanë kryer gjatë Ramazanit. Kjo është shumë e gabuar. Ramazani ekziston që ne të lëmë mënjanë ngarkesën e njëmbëdhjetë muajve dhe të përjetojmë e shijojmë më mirë ndjenjat shpirtërore.
Në programin e shkollës së Ramazanit gjendet leximi i Kur’anit, si p.sh tradita e Mukabeles. Duke marrë parasysh fjalët e Aliut r.a: “Nuk ka dobi të lexosh Kur’anin pa menduar”. Duhet lexuar duke menduar për kuptimin e tij, duke e lexuar një nga një, me zë të bukur, me lot që të rrjedhin nga sytë…
Në programin e shkollës së Ramazanit ka iftar. Iftari është koha kur të gjithë anëtarët e familjes mblidhen rreth një tavoline në fund të një dite të përmbushur shpirtërisht, e përkufizuar nga Profeti Muhamed (a.s.) si koha kur lutjet do të pranohen. Është një kohë shumë e çmuar dhe Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu e shikon një familje të tillë me mëshirë” dhe vlera e saj shpirtërore është e pamatshme. Pejgamberi (a.s.) në një nga hadithet e tij ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime, kur çel iftarin dhe kur të takojë Zotin e tij”. Pra, koha e iftarit është një moment kaq i gëzueshëm. Në këtë kohë, të gjithë së bashku me familjarët presin që të vijë urdhri ose të përfundojë urdhri. I thanë të mos hante e të mos pinte, dhe ai nuk hëngri dhe nuk piu. Duke iu bindur urdhrit, besimtari tregoi dashurinë dhe respektin e tij për Allahun e Madhëruar. Ai përjetoi lirinë e vërtetë duke vënë nevojat e tij natyrore përpara vetes. Tani ai do të gjejë një shije tjetër. Shija këtu është të çelësh agjërimin duke u lutur rreth një tavoline me anëtarët e familjes.
Në programin e shkollës së Ramazanit ka dhe teravi. Teravia është një adhurim i bukur që u fut si praktikë nga vetë Profeti (a.s.) por që në kthimin e saj si institucion luajti një rol edhe Omeri (r.a.).
Në programin e shkollës së Ramazanit ka zekat. Edhe kjo është një traditë e bukur. Ramazani është edhe stacioni financiar i zekatit. Muslimanët e kanë bërë traditë dhënien e zekatit gjatë Ramazanit. Kjo është një gjë shumë e bukur.
Në programin e shkollës së Ramazanit ka sadaka fitri, ka ndihmë për të varfrit, të pastrehët,
jetimët, të vejat dhe nevojtarët. Programi i shkollës së Ramazanit është shumë i pasur. Në program ka namaz, kijam, lexim, tehexhxhud, nafile, infak, teravi, natë kadri, Kur’an, mukabele, dituri, urtësi, itikaf, adhurim, mirësi, bukuri, pendim, liri, disiplinë, pastrim, mbrojtje…Ka dhe bajram, gëzim të agjërimit…

Përfundimi
Pejgamberi (a.s.) në një hadith të tij ka thënë: “Kush e kalon Ramazanin me besim dhe agjërim vetëm për hir të Allahut, do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara”. Ai jep lajmin e mirë se ka falje në fund të shkollës së Ramazanit nëse praktikohet me besim dhe sinqeritet. Falja nuk është vetëm falje e mëkateve të kaluara, por edhe mbrojtje nga mëkatet e ardhshme. Gjithashtu në ajet theksohet se agjërimi do ta sigurojë këtë mbrojtje me shprehjen “Leallekum tettekuun”.
Programi shkollor i Ramazanit është i caktuar nga vetë Allahu. Këtij programi, i cili fillon me syfyr dhe përfundon me iftar, teravitë, që i qetëson besimtarët dhe namazin e natës, i caktoi Profeti (a.s.). Pjesë e këtij programi u bë edhe syfyri me urdhër të Profetit (a.s.). Syfyri rekomandohet jo vetëm për të përballuar më mirë urinë e ditës tjetër, por besimtarët e ndjejnë këtë edukim duke qëndruar zgjuar në agim kur lutjet nuk refuzohen.
Për më tepër, ky mejtep ofron një arsim që nuk disponohet në asnjë shkollë, medrese apo universitet tjetër. Ai pranon si student çdo person që nuk ka justifikim nga aspekti i juridiksionit fetar. Ndoshta arsyeja dhe dituria nuk jepen në këtë shkollë. Megjithatë, vullneti, i cili është një parakusht për arsyen dhe njohurinë, stërviten në këtë mejtep. Ashtu si në shumë praktika fetare në Islam, agjërimi në shkollat e Ramazanit ka për qëllim sigurimin e lirisë së vullnetit, që është lloji i tretë i lirisë. Sepse liria e vullnetit ekziston me cilësitë shpirtërore. Agjërimi i Ramazanit, muajit të Shpalljes së Kuranit, është një përpjekje për të çliruar vullnetin e njeriut nga robëria e tekave, dëshirave dhe epsheve. Në këtë shkollë njeriu mëson të kontrollojë veten në mënyrë që të jetë gati për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit. Ky vetëkontroll, i cili na lejon të ndajmë lidhjet me instinktet shtazore, është një detyrë dhe përgjegjësi ndaj vetes.