Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Menaxheri i kaosit!

Menaxheri i kaosit!

Opozita si një teatër i konsumuar, ku Berisha mban regjinë dhe rivalët e tij luajnë rolin e figurantëve në një pronë politike private

Nëse ka një figurë politike që ka ndërtuar karrierën mbi përplasjen, ajo është Sali Berisha. Historia e tij është një manual i gjallë i krizave të prodhuara artificialisht, ku çdo kapitull nis me tension dhe mbyllet me kaos.

Që nga vitet 1990, kur tranzicioni u shoqërua me polarizim ekstrem, tek 1997-a që mbetet njolla më e errët e politikës shqiptare, e deri te rikthimet e pafundme në skenë, Berisha ka treguar se nuk di të jetojë pa konflikt dhe kaos.

Edhe protesta e djeshme në Tiranë, është një pasqyrë e freskët e këtij modeli të vjetër. Ai e sheh sheshin si laboratorin e tij politik, ku eksperimenton me tensionin dhe e shndërron pakënaqësinë qytetare në një spektakël personal.

Por ndryshe nga dikur, sot Berisha nuk ka më përballë vetëm kundërshtarët politikë. Ai ka kundër shumicën e shqiptarëve por edhe ndërkombëtarët, të cilët prej kohësh e kanë vendosur në listën e figurave të padëshiruara.

Po ashtu, ka kundër kohën politike, sepse realiteti i sotëm kërkon stabilitet, zhvillim dhe integrim, jo përplasje të pafundme. Dhe mbi të gjitha, ka kundër kohën biologjike, sepse ora e jetës nuk ndalet, dhe energjia për të menaxhuar kaosin nuk është e pafundme.

Por a e kuptojnë këtë ai grusht militantesh që ende i shkon nga pas? Çfarë i motivon ata, një anti-komunizëm i konsumuar, pas 36 vitesh nga rrezimi i sistemit? Apo thjesht nostalgjia për një lider, që pavarësisht gjithçkaje, ka ditur të mbajë gjallë ndjenjën e përplasjes?

Por paradoksi i opozitës shqiptare nuk mbaron me Berishën. Ai shtrihet edhe tek ata që shfaqen si rivalët e tij të hapur për kreun e PD-së, figura si Ervin Salianji apo të tjerë që pretendojnë se duan ta çojnë partinë drejt një epoke të re.

Në shesh, ata rreshtohen pranë tij, duke i dhënë legjitimitet një lideri tërësisht të konsumuar. Pastaj, të nesërmen, me një lloj akrobacie politike, nisin të sulmojnë pikërisht atë që i shkuan pas, duke u paraqitur si alternativë.

Ky është paradoksi i tyre: të jesh njëkohësisht aktor në shfaqjen e vjetër dhe kritik i saj, duke e shitur si “ndryshim” të njëjtën kakofoni. Në vend që të ndërtojnë një narrativë të qartë për të ardhmen, ata e mbajnë PD-në të lidhur pas Berishës, sikur pa të s’ka të ardhme.

Ata e dinë se Berisha është një figurë e diskretituar, por prapë i japin oksigjen, sepse pa kaosin e tij nuk do të kishin as skenën ku të shfaqeshin. Dhe kështu, PD pozita duket si një orkestër pa dirigjent, ku secili luan instrumentin e vet, por muzika mbetet e njëjtë: një simfoni e konsumuar.

Të rivalizosh Berishën brenda PD-së do të thotë të bësh naivin. Të shtiresh sikur nuk e di që të gjitha faktet dhe të dhënat tregojnë se kjo parti është një pronë private e tij dhe e familjes. Si e tillë, fati i saj është i lidhur pazgjidhshmërisht me të.

Çdo pretendim për rivalitet brenda PD-së, është thjesht një rol i vogël në teatrin e madh të Berishës. Një shfaqje ku regjisori është i përhershëm, ndërsa aktorët e tjerë thjesht ndërrohen në role episodike.

Dhe ja ironia e fundit: protesta e radhës u mbajt pikërisht më 22 mars, në 34-vjetorin e fitores së parë të PD-së dhe ardhjes së saj në pushtet. Atëherë shqiptarët votuan demokratët për t’u ndarë njëherë e mirë nga komunizmi.

Por vetëm pak muaj më vonë, në korrik 1992, PD humbi shumicën e bashkive dhe komunave; në 1994 humbi referendumin për kushtetutën; në 1996 fitoi përmes vjedhjeve masive; në 1997 u largua me turp duke e lënë vendin në kaos; u rikthye në pushtet në 2005 falë përçarjes së të majtës dhe manovrave me Ilir Metën, të cilat i përsëriti në 2009; u largua në 2013 dhe prej asaj kohe po vuan pasojat e antipatisë dhe urrejtjes popullore ndaj Berishës.

Por siç duket, doktori është mishërim i thënies së famshme të Hegelit: “Nëse faktet janë kundër meje, aq më keq për faktet1”. /tesheshi