Imam el-Mawerdi, në librin e tij të bukur “Etika e kësaj bote dhe fesë” sjell një shprehje shumë të bukur rreth virtytit, ku thotë:
“Mendja të urdhëron për atë që është më e dobishme, ndërsa fisnikëria morale të urdhëron për atë që është më e bukur.”
Prandaj, Pejgamberi ﷺ, ka thënë:
„Unë garantoj një shtëpi në periferi të xhennetit, për atë që heq dorë nga debati, edhe nëse është me të drejtë.”
Sikur don të thotë: të kesh të drejtë nuk është gjithçka!
Nëse ti e përdor vetëm “armën e të drejtës” për të komunikuar me të tjerët, atëherë ti mban një mjet të mprehtë, të ftohtë, që shkatërron dashurinë, thyen afërsinë, lëndon shpirtrat dhe dëmton zemrat.
Sepse njerëzit janë të prirur të duan ata që bëjnë sikur nuk i shohin gabimet, ata që i përfshijnë me zemërgjerësi, dhe ata që nuk e përulin veten në betejat e kota e të vogla.
Shembull:
Kur ti je në radhë të gjatë dhe vjen radha jote, por ia jep vendin një plaku apo një gruaje.
Nga pikëpamja e të drejtës së pastër, ti e ke të drejtën, dhe askush nuk ka të drejtë të të qortojë nëse nuk e heq dorë. Por kjo është… shija me mirësjellje!
Dinjitet i lartë moral është diçka që nuk shkruhet në libra – sepse buron nga ndërgjegjja dhe zemra e njeriut, asnjë arsyetim logjik nuk vlen, dhe asnjë shpjegim nuk e bën të kuptueshme.
⸻
Para pak kohe, hasa një fetva të thjeshtë. Një person pyeste nëse i lejohej të udhëtonte jashte vendit për një punë ma të mirë. Ai ishte i vetmi djalë i prindërve të tij, i kishte pyetur dhe ata nuk e kundërshtonin udhëtimin.
Përgjigjja juridike fetare ishte: S’ka ndalim, veprimi yt është i lejuar.
Por myftiu shtoi, me një gjuhë popullore dhe të butë:
Më e bukura dhe më e pastërta është të qëndrosh… të qëndrosh pranë prindërve të tu, nëse ke punë aty ku ata jetojnë!
Një përgjigje e mahnitshme!
Pra, ka një gjykim sheriatik themelor për këtë çështje: veprimi është i lejuar, dhe nëse ai niset për në udhëtim, nuk është mëkatar e as i qortueshëm nga pikëpamja e ligjit fetar.
Por nga një këndvështrim më i thellë, shfaqen dimensionet e mirësjelljes dhe asaj fisnikrise burrërore: sepse ka diçka më të lartë se e drejta dhe gabimi – ka diçka më të bukur, më të ëmbël, më të pastër, më të lartë, më të mëshirshme dhe më të butë. Kjo është virtyti fisnik.
Sipas Aristotelit, çdo pohim është ose i saktë ose i gabuar.
Por Xhelaluddin Rumiu shkonte më larg dhe thoshte:
“Përtej së drejtës dhe gabimit… ekziston një hapësirë.
Të takohemi atje.”
Hoxhë Halil Avdulli









