Kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë çmimin ”Fulbright” për mirëkuptimin ndërkombëtar, njoftoi të martën shoqata ”Fulbright” në Uashington.
“Me këtë çmim, shoqata ‘Fulbright’ nderon kancelaren Merkel për lidershipin e saj të shquar, dhembshurinë dhe angazhimin e saj të fortë për mirëkuptimin reciprok, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe paqen”, tha shoqata jofitimprurëse në një deklaratë.
Çmimi do të akordohet në Berlin më 28 janar duke u zhvilluar për herë të parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në historinë e saj 25-vjeçare të fondacionit.
Fituesit e mëparshëm përfshijnë Nelson Mandela, ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter dhe Bill Clinton dhe organizatën ‘’Mjekë pa Kufij’’.
Merkel, në pushtet që nga viti 2005, kohët e fundit ka thënë se mandati i saj i katërt si kancelare do të ishte i fundit.
Ajo ka fituar Medaljen Presidenciale të Lirisë në 2011 dhe u emërua Person i Vitit nga revista ”Time” në vitin 2015./ ATSH-DPA




