Messi s’ka hatërmbetje me tifozët e PSG-së: Ishte përvojë e mrekullushme në Paris

Kampioni i botës me Argjentinën, Lionel Messi të dielën mbrëma zhvilloi ndeshjen e fundit me PSG-në ndaj Clermont, duke e mbyllur zyrtarisht aventurën 2-vjeçare në kryeqyteti francez.

Një pjesë e tifozëve të PSG-së nuk i kursyen kontestimet dhe vërshëllimat ndaj tij as në takimin e fundit. Një dashuri që nuk lindi kurrë mes 7 herë fituesit të Topit të Artë dhe turmës në “Parc des Princes”. Gjithsesi, “pleshti” ka vetëm falënderime për këtë eksperiencë.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam qenë në gjendje të përfaqësoj këtë klub. Ishte fantastike të isha pjesë e kësaj skuadre dhe të luaja përkrah shumë lojtarëve të mirë. Do të doja të falënderoja klubin për këtë përvojë të mrekullueshme në Paris”, theksoi 35-vjeçari.

E ardhmja e të cilit është e ndarë mes kalimit në Arabinë Saudite dhe rikthimit te Barcelona. Gjatë dy sezoneve me PSG-në, Messi fitoi titullin kampion (2x) dhe Superkupën e Francës. Ai zhvilloi 75 ndeshje, shënoi 32 gola dhe dhuroi 35 asiste.