Meta tjetër thirrje: Ruani qetësinë, shmangni provokimet

Presidenti Ilir Meta ka bërë sërish thirrje për qetësi ditën e diel. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale ai thekson se duhet respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimi i gjithsecilit gjatë ditës së nesërme.

“Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri!”, thekson kreu i shtetit.  Sipas tij është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithsecilit

“E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka nesër ruajtja e paqes sociale. Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë. Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”.

Presidenti i Republikës dekretoi datën 13 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Ai tha se kjo shtyrje me 3 muaj do të ishte një mundësi reflektimi për të gjitha palët.

Por kryeministri Edi Rama tha menjëherë se akti i tij ishte i pavlefshëm. Opozita këmbëngul me protestat e saj për zgjedhje të parakohshme./ Opinion.al