Mianmari refuzon hetimin e gjenocidit mbi muslimanët

Autoritetet e Mianmarit kanë njoftuar se nuk do të lejojnë çfarëdo hetimi të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin mbi komunitetin musliman Rohingya në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mianmari do të ndalojë pjesëtarët e OKB-ve në tentimin për të hetuar vrasjet, dhunën dhe abuzimet e pretenduara të popullit Rohingya”, theksuan nga Qeveria e Mianmarit.

Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme Kyaw Tin në fjalimin para Parlamentit tha se hetimi i brendshëm për këto pretendime është i mjaftueshëm. Ai shtoi se do të urdhërojë ambasadat që të mos japin viza kujtdoqoftë nga personeli i OKB-ve që punon për hetimet. “Nëse dërgojnë dikë me qëllim që të gjejnë fakte, nuk ka arsye që këtë ta lejojmë”, tha Tin.

OKB në muajin maj të këtij viti formoi ekip për hetimin e krimeve kundër Rohingya që së shpejti duhej të dërgohej në Mianmar. Autoritetet e Mianmarit edhe më herët me këmbëngulje mohonin gjenocidin mbi bashkësinë etnike muslimane Rohingya.

Organizata e Kombeve të Bashkuara në muajin shkurt shpalosi raportin në të cilin thuhet se kanë gjetur një foshnje dhe fëmijë të vrarë me thikë gjatë “operacionit të pastrimit”. Qeveria e Mianmarit atëbotë porositi se informacionet në raport janë të “ekzagjeruara”.

Në Mianmar shumica e banorëve janë budistë (56 milionë), ndërsa muslimanët përbëhen prej rreth 5 për qind të banorëve (rreth 2.5 milionë). Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të Kombeve të Bashkuara, muslimanët Rohingya janë pakica më e rrezikuar nacionale në botë. Muslimanët Rohingya nuk kanë shtet të tyre dhe të drejtat i kanë në masë të konsiderueshme të kufizuara. Sipas rendit kushtetues, autoritetet shtetërore njohin vetëm qytetarët që përshtaten në definicionin “vendas”, ndërsa, nga ana tjetër, injorojnë pjesëtarët e grupeve tjera gjuhësore, etnike dhe fetare. Sipas të dhënave jozyrtare, regjimi diktatorial në Mianmar deri tani ka vrarë mbi 30.000 muslimanë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre tashmë një kohë të gjatë jetojnë në kushte të rënda.