Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DS), Srdjan Milivojeviq, ka deklaruar për portalin Vijesti.ba se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatit sanksione ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe ndaj njerëzve më të pasur dhe më të afërt të tij.
Milivojeviq theksoi gjithashtu se në Kongresin amerikan është proceduar një projektligj i sponsorizuar nga kongresmeni republikan Keith Self, i cili ngre shqetësime serioze lidhur me trajtimin e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht për praktikën “pasivizim i adresave”.
Sipas tij, kjo praktikë përdoret për fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë, duke u mohuar atyre të drejtën e votës dhe qasjen në shërbimet bazë publike.
Kryetari i DS-së vlerëson se zhvillimet e fundit janë pasojë e një sërë, siç i quan ai, gabimesh katastrofike të Aleksandar Vuçiqit në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Gjithçka nisi me ngjarjet në Banjskë më 24 shtator 2023. Më pas, në prill të vitit 2025, ndodhi arrestimi dhe arratisja nga arresti shtëpiak në Beograd e një shtetasi kinez dhe një britaniku, të kërkuar nga SHBA-të për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake. Arratisja e tyre u perceptua në Uashington si një poshtërim serioz i rendit juridik amerikan,” deklaroi Milivojeviq.
Ai përmendi edhe një tentativë të Vuçiqit për të marrë pjesë në një darkë donatorësh në Florida në maj të vitit 2025, nën një emër të rremë, duke shtuar se presidenti serb u deportua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas Milivojeviqit, pas këtyre zhvillimeve, Susan Wiles, shefja e kabinetit të Donald Trumpit, e ka “hequr përgjithmonë” Aleksandar Vuçiqin nga lista e bashkëpunëtorëve të pranueshëm, ndërsa ai është cilësuar si një mashtrues i vogël politik.







