Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot njoftoi sot se do të udhëtojë për në Grenlandë “në javët e ardhshme” për të inauguruar konsullatën e re të Francës në Nuuk, kryeqytetin e territorit, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin francez BFMTV-RMC, Barrot tha se vizita do të zhvillohet me ftesë të autoriteteve daneze dhe të Grenlandës. Konsullata është planifikuar të hapet zyrtarisht më 6 shkurt.
Vendimi për të hapur konsullatë franceze në Nuuk u mor verën e kaluar gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në territorin e Arktikut, duke reflektuar angazhimin në rritje diplomatik në rajon.
I pyetur në lidhje me një “kornizë” të raportuar midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe NATO-s në lidhje me Grenlandën, Barrot tha se nuk i ka “detajet” e një marrëveshjeje të tillë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe Trumpi u takuan të mërkurën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Trumpi më vonë tha se ishte krijuar një kornizë për një marrëveshje të mundshme që përfshin Grenlandën dhe rajonin e gjerë të Arktikut. Ai hoqi dorë nga kërcënimi për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë ofertën e tij të blerjes.
Presidenti amerikan ka treguar interes për Grenlandën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të pasura minerale dhe shqetësimeve rreth rritjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Danimarka dhe Grenlanda kanë hedhur poshtë propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.



