Ministri i Jashtëm kinez, Wang tha se “Pekini qëndron në anën e duhur të historisë” si përgjigje ndaj kritikave të SHBA-së se Kina duhet të qartësojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë e cila i ka shpallur luftë Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi deklaroi se qëndrimi i vendit të tij ndaj çështjes së Ukrainës është i drejtë dhe objektiv dhe se koha do të tregojë se Pekini “qëndron në anën e duhur të historisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të Xinhua, ministri Wang ka bërë një vlerësim për mediat lokale lidhur me bisedën nëpërmjet internetit që presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi më 18 mars me homologun e tij amerikan, Joe Biden.
Ministri Wang tha se “Pekini qëndron në anën e duhur të historisë” si përgjigje ndaj kritikave të SHBA-së se Kina duhet të qartësojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë e cila i ka shpallur luftë Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki në një konferencë për media pas bisedës tha se “Kina duhet të vendosë se ku do të qëndrojë kur të shkruhen librat e historisë”.
Duke vënë në dukje se Kina gjithmonë mbron paqen dhe se kundërshton luftën, Wang theksoi se ky qëndrim është pjesë e politikës së jashtme të Kinës aq sa edhe historia dhe kultura e saj.
“Kina do të vazhdojë të arrijë gjykime të pavarura me një qëndrim të drejtë dhe objektiv në përputhje me natyrën e problemit”, potencoi Wang i cili shtoi se nuk do të pranojnë asnjë presion dhe shtrëngim të jashtëm, akuza dhe dyshime të pabaza të drejtuara ndaj saj.
Ai tha se në video-konferencë presidenti Jinping ka paraqitur një propozim dy-dimensional në çështjen e Ukrainës.
“Të gjithë aktorët duhet të sigurojnë përfundimin e luftimeve dhe parandalimin e krizës humanitare duke i detyruar palët në dialog dhe negociata. Ndërsa zgjidhja e përhershme është e lidhur me ndërtimin e besimit të vazhdueshëm, të balancuar dhe efektiv për paqen afatgjate në Evropë duke refuzuar mentalitetin e Luftës së Ftohtës dhe duke u distancuar nga konfrontimi në bllok”, tha Wang.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping më 18 mars zhvilloi një bisedë nëpërmjet video-konferencës me presidentin e SHBA-së, Joe Biden. Në bisedë liderët shkëmbyen pikëpamjet lidhur me çështjen e krizës në Ukrainë. /aa



