Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri izraelit bën thirrje për aneksimin e jugut të Libanit: Izraeli duhet...

Ministri izraelit bën thirrje për aneksimin e jugut të Libanit: Izraeli duhet të zgjerojë kufirin e tij

Izraeli duhet të zgjerojë kufirin e tij me Libanin deri te lumi Litani, thellë në jug të vendit, tha të hënën ministri izraelit i financave, Bezalel Smotrich.

Izraeli i ka përshkallëzuar sulmet në Liban, pasi forcat e tij bombarduan ura dhe shkatërruan shtëpi në jug të vendit ditët e fundit.

Komentet e ministrit Smotrich janë më të drejtpërdrejtat deri tani nga një zyrtar i lartë izraelit për marrjen e tokës libaneze në një luftë për të cilën Izraeli thotë po e zhvillon vetëm kundër militantëve të Hezbollahut, të cilët mbështeten nga Irani.

Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Libani u përfshi në luftën rajonale më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit. Prej atëherë, Izraeli ka urdhëruar të gjithë banorët të largohen nga pjesët në jug të lumit Litani, duke qenë se po e bombardon këtë pjesë të vendit, sepse e cilëson si bastion të Hezbollahut.

Gjatë sulmeve izraelite në Bejrut të hënën vrau një komandant të Forcës elitare Quds të Gardës Revolucionare të Iranit, tha ushtria izraelite.

Autoritetet libaneze thonë se sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë vrarë më shumë se 1.000 njerëz dhe kanë detyruar më shumë se një milion të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi Izraeli ka urdhëruar banorët të largohen nga pjesë të shumta të vendit. /tema