Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026.
33 kanë votuar për e tetë kundër. Vetëvendosja deklaroi paraprakisht se nuk do ta votonte buxhetin 2026.
Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro.
Paraprakisht u debatua mes PDK-së dhe LVV-së në lidhje me buxhetin. Akuzave të LVV-së se PDK-ja po i shërben Përparim Ramës, iu kundërpërgjigj asamblisti i kësaj partie, Leutrim Retkoceri.
Ai tha se do ta votojnë buxhetin për të mirën e qytetarëve.
“Buxheti nuk është vetëm i një partie politike. Ne si PDK kemi kërkuar të ketë transparencë, të ketë dëgjime publike më shumë, planifikim dhe të gjitha janë legjitime. A kemi propozime? Po, por për neve më shumë janë të rëndësishme parimet sesa kërkesat. Nuk mundemi në këtë situatë, kur dy forca politike për muaj të tërë janë përplasur mes veti për buxhet dhe shumë projekte që kanë mbetur të bllokuara në Prishtinë, me vazhdu me marrë pozicionim kundër buxhetit për inate politike. Pse PDK-ja nuk e ka fituar Prishtinën, ne nuk ia kemi marrë inati qytetit. PDK-ja ka me votu buxhetin, por ka me votu me arsyen e vetme që mos me mbet buxheti mollë sherri mes dy subjekteve politike”, tha Retkoceri.
Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se subjekti i tij politik nuk do ta votojë buxhetin, duke vlerësuar se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses qeverisës komunal.
“Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie… Sa i përket përmbajtjes së buxhetit, është alarmante se tri projekte kryesore janë projekte me probleme ligjore dhe që janë subjekt trajtimi nga organet e drejtësisë. Po flasim për Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”, tha ai.
Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit dhe ka kërkuar aprovimin e tij në tërësi, ndërsa LDK dhe PDK kanë shprehur mbështetje me theks në stabilitet dhe zhvillim, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.
“I gjithë buxheti është i ndarë në 5 kategori ekonomike. Kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro për këtë kategori. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë. Shpenzimet e komunale 3 milionë e gjysmë. Subvencionet dhe transferet 6.8 milionë. Investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në vizion e transformimit të kryeqytetit. Këto projekte janë të ndara në secilën kategori dhe janë bazuar edhe në dëgjime buxhetore. Buxheti i investimeve kapitale është i bazuar në projekte të mëdha kapitale për secilën kategori. Përveç investimeve të mëdha janë edhe shpenzimet operative të cilat direkt janë të përfshira në jetën e qytetarëve. Kërkoj aprovimin e këtij buxheti në tërësi”, tha Makolli.







