Miraxhi – a ishte Muhamedi “astronauti i parë” i njerëzimit?

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Personifikimi i Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) si “Astronauti i Parë” i njerëzimit mund të kuptohet vetëm si një interpretim metaforik dhe jo si një pretendim i mbështetur në qëllimin teologjik të Mi‘raxhit (udhëtimit hyjnor), i cili në doktrinën islame përfaqëson një transferim transcedental të trupit dhe shpirtit.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje alegorike, është e domosdoshme të merren parasysh shpjegimi fetar, tradita profetike dhe argumentet historike.

  1. Narrativa islame: Isra dhe Mi‘raxhi

Në traditën islame, Isra dhe Mi‘raxhi përfaqësojnë një ngjarje të përbërë nga dy etapa të ndërlidhura:

Isra: Udhëtimi i Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) nga Meka në Jerusalem.

Mi‘raxhi: Ngjitja e tij drejt sferave të larta të ekzistencës, përtej realitetit tokësor, në një dimension transkozmik sipas kozmologjisë së shenjtë islame.

Kjo ngjarje përmendet në mënyrë koncize në Kuran (p.sh. Surja Al-Isra, 17:1) dhe shtjellohet gjerësisht në traditën profetike (Hadith), si dhe në dëshmitë e transmetuara nga bashkëkohësit e Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të). Këta transmetues përshkruajnë një ngjarje që, ndonëse mrekullibërëse dhe tejlogjike, u perceptua si bindëse dhe argumentuese në kontekstin e besimit të tyre.

Brenda literaturës islame ekzistojnë interpretime të ndryshme mbi natyrën e kësaj ngjarjeje transhistorike dhe transkozmike:

Shumica dërrmuese e dijetarëve myslimanë mbështesin interpretimin e një udhëtimi fizik dhe shpirtëror.

Një pakicë e konsideron atë si një përvojë thjesht shpirtërore ose vizionare.

Thelbi qëndron në faktin se Mi‘raxhi është një ngjarje teologjike në natyrë, e cila pranohet brenda kornizës së besimit dhe nuk synon të shpjegohet përmes terminologjisë ose metodologjisë së astronomisë shkencore.

  1. Mi‘raxhi i Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të)

Mi‘raxhi ndodhi brenda një kozmologjie të shenjtë, e cila përkon domosdoshmërisht me modelin fizik të universit sipas shkencës moderne. Megjithëse sot njeriu ka arritur të kryejë udhëtime hapësinore jashtë planetit Tokë, kjo përbën provë për ta interpretuar Mi‘raxhin si një udhëtim kozmik në kuptimin shkencor bashkëkohor.

Megjithatë, sipas traditës islame, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) përshkroi disa elemente të këtij udhëtimi duke përdorur referenca hapësinore dhe kohore të kuptueshme për bashkëkohësit e tij, si përshkrimi i detajeve të Jerusalemit apo informacioni mbi vendndodhjen e karvaneve të Kurejshëve. Këto përshkrime u konsideruan si argumente bindëse për vërtetësinë e përvojës së tij profetike.

  1. Mesazhi i kësaj ngjarje tejhistorike dhe tejkozmike

Muhamedi (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ishte një Njeri që nuk pretendoi kurrë të zotëronte cilësi mbinjerëzore. Prandaj, Mi‘raxhi ashtu si edhe pranimi i shpalljes së Kuranit duhet kuptuar si një përvojë fetare me mision profetik, e jo si një fenomen i krahasueshëm me udhëtimet astronautike.

Në traditën islame, ky udhëtim nuk përkufizohet si  “udhëtim astronauti” në asnjë kuptim shkencor apo historik, por si një udhëtim mrekullibërës me mision hyjnor, që shërben si vulosje e profetësisë së Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) dhe si sfidë ndaj atyre që dyshuan në autenticitetin e mesazhit të tij.

Në këtë kuptim, nevojiten studime shumëdimensionale, të cilat respektojnë besimin fetar pa deformuar terminologjinë shkencore dhe, njëkohësisht, respektojnë shkencën pa cenuar parimet themelore të besimit islam.

Prof.Dr. Rrahman Ferizi