Shefja e Misionit e Grupit Mjekët pa Kufij (MSF) për Sudanin, Aline Serin, paralajmëroi se situata e mijëra njerëzve që mbërrijnë në Tavila nga El-Fasher, i cili ka qenë nën kontrollin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat kanë luftuar ushtrinë për më shumë se 30 muaj, është “shumë e keqe” dhe se më shumë se 50 për qind e fëmijëve janë të kequshqyer rëndë.
Serin iu përgjigj pyetjeve të Agjencisë Anadolu lidhur me situatën e fundit në qytetin El-Fasher që kaloi nën kontrollin RSF-së së mbështetur nga jashtë vendit.
Ajo tregoi se konfliktet në vend janë të përqendruara në vende të ndryshme dhe shpjegoi se MSF është e pranishme në shumë pjesë të vendit.
Duke theksuar se nuk kanë qasje në El-Fasher, Serin tha se nuk mund të vlerësojnë situatën e atij vendi. “Mijëra njerëz kanë filluar të mbërrijnë në Tavila, ku ne veprojmë, që nga marrja nën kontroll të qytetit El-Fasher javën e kaluar. Njerëzit po mbërrijnë në kushte të tmerrshme. Të gjithë fëmijët që kanë mbërritur deri më tani janë të kequshqyer dhe më shumë se 50 për qind e tyre janë të kequshqyer rëndë. Ne kemi trajtuar qindra të plagosur. Ata që janë plagosur në përleshjet e fundit në El-Fasher ose më parë po trajtohen”, u shpreh ajo.
Ajo nuk ishte në mundësi të konfirmojë numrin e atyre që janë larguar dhe që ende qëndrojnë në El-Fasher deri më sot, ndërsa tha se nga java e kaluar e deri më tani në Tavila kanë mbërritur mbi 5.000 persona.
Serin nënvizoi gjithashtu se kishte shumë njerëz të bllokuar në El-Fasher ose duke u përpjekur të arrinin në vende më të sigurta.
– “Vitin e kaluar u detyruam të tërhiqemi nga El-Fasher”
“Nuk kemi ekipe në El-Fasher tani sepse na u desh të tërhiqeshim prej atje vitin e kaluar. Nuk kemi asnjë kontakt për momentin. Prandaj, nuk mund ta konfirmojmë numrin e vdekjeve në El-Fasher “, tha Serin, duke shtuar se shumë njerëz që kanë arritur në Tavila janë të sëmurë dhe në gjendje të dobët shëndetësore.
Serin deklaroi se njerëzit arritën në Tavila nga El-Fasher duke kaluar nëpër rrugë të rrezikshme 60 kilometrash dhe se këta njerëz kishin deklarata që përshkruanin intensitetin dhe dhunën e përleshjeve.
Duke vënë në dukje se ka pasur shkurtime serioze në fondet e ndihmës humanitare në mbarë botën, Serin tha se vetëm 25 përqind e apelit për ndihmë të nisur nga Kombet e Bashkuara (OKB) në Sudan është financuar.
Duke vënë në dukje se nevojat janë të mëdha dhe fondet për ndihmë humanitare janë të pakta, Serin tha: “Ne ofrojmë kujdes shëndetësor në Tavila dhe po punojmë për të rritur kapacitetin tonë për të përmbushur nevojat. Ne besojmë se aktualisht nuk ka shërbime mjekësore në dispozicion në El-Fasher. Zona ka qenë nën rrethim për 18 muajt e fundit, praktikisht pa asnjë mjet për të dërguar furnizime. Pra, edhe nëse keni personel mjekësor, keni pak ose aspak furnizime mjekësore”.
Serin u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojnë civilët në këtë konflikt, duke shtuar se civilët janë përballur me zhvendosje të shumta dhe dhunë që nga fillimi i konfliktit në Sudan.






