Mjekja jep alarmin: Mbipesha dhe obeziteti po rrisin sëmundjet!

Mënyra e re e të jetuarit pas kalimit nga diktatura komuniste në demokraci po sjell jo pak probleme lidhur me shëndetin. Mjekët endokrinologë thonë se mbipesha dhe obeziteti po shtojnë gjithmonë e më shumë persona në radhët e tyre, ku burrat janë ata që mbizotërojnë.

“Ka një rritje të personave obezë dhe atyre mbipeshë. Është një rritje e viteve të fundit që vjen për disa arsye, ndryshimi i stilit të jetesës, ulja e aktivitetit fizik, lëvizja me mjetet automobilistike gjatë pandemisë, ushqyerja e pashëndetshme”, shprehet Edlira Hoxha, mjeke endokrinologe.

Disa kilogramë më shumë në trup nuk janë vetëm një problem në dukje, por bartin dhe paralajmërojnë shumë sëmundje.

“Personat që janë mbipeshë dhe obezë kanë risk për zhvillimin e disa sëmundjeve kronike siç janë diabeti, hipertensioni arterial, yndyrnat, kolesteroli”, shprehet Edlira Hoxha, mjeke endokrinologe.

Obeziteti vlerësohet nga ekspertët e shëndetësisë si një nga shkaqet kryesore të rritjes së vdekshmërisë dhe aftësisë së kufizuar në popullatë. Në këto kushte, mjekët rekomandojnë dieta të balancuara dhe aktivitet fizik në mënyrë të pandërprerë çdo ditë, për të gjitha moshat.