Mjeku i rremë infekton 21 persona me virusin HIV

Një mjek i rremë në Indi ka infektuar 21 persona me virusin HIV duke u dhënë gjilpërë me shiringë të njëjtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se kanë filluar hetimet pas rritjes së rasteve me virusin HIV në qytetin Bangarmau të provincës Uttar Pradesh në veri të shtetit.

Si rezultat i hetimeve është zbuluar se virusi HIV është përhapur tek 21 persona për shkak se një mjek i rremë i quajtur Rajendra Yadav, ka dhënë gjilpërë me shiringë të njëjtë të sëmurëve në fshat.

Policia ka nisur hetimet kurse njoftohet se Yadav ka ikur pas zbulimit të rastit.

Banorët njoftojnë se mjeku i rremë Yadav ka shkuar nëpër fshatra me biçikletë dhe se ka kontrolluar të sëmurit në ambient të hapur. Banorët poashtu kanë thënë se ai rrallë herë ka ndërruar shiringat e gjilpërave.

Sipas raportit të Institutit të Kombeve të Bashkuara për luftën kundër AIDS-it (UNAIDS), në Indi 2.1 milionë njerëz janë të prekur nga virusi i HIV-it ndërsa 9.100 prej tyre janë fëmijë të moshës nën 15 vjeç.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Indi tregojnë se ka mungesë për më shumë se 500 mijë mjekë, ku bie që një mjek duhet të kujdeset për 1.674 persona.

Në këtë vend zbulohen raste të shumta të mjekëve të rremë, për shkak të mungesës së mjekëve dhe të asaj që më shumë se 500 milionë banorë jetojnë nën kufirin e varfërisë.