Mjerim, po, mjerim…

MJERIM, PO, MJERIM…

(Shqiptarët nga sot e lanë fenë)

…Dialektika shqiptare është paradoksale,sepse teizmin

mundohet ta ateizojë ,ndërsa ateizmin ta “teizoië”…!!!

Ismail Bardhi

Nuk e di se si t’ia filloj, për arsye se brendësia me jashtësinë nuk përputhen, dhe anasjelltas; brendësia është “shpirti”, brendësia është ndërgjegjja, përgjegjësia; brendësia është ajo që merr fuqinë për këtë botë dhe e zbukuron atë. Kurse jashtësia është diçka që duhet ta dëshmojë atë brendësi, të jetë argument i cili e mundëson dhe siguron ekzistimin tonë.

Mirëpo, te ne, dhe meqenëse shkruaj shqip mund të them – te ne shqiptarët, a është kështu? Ja një përshkrim “metafizik” duke u mbështetur mbi të kaluarën: Për kohën e lashtë më tepër flasin të huajt se tanët, dhe atë natyrisht jo me alfabetin shqip, por ja që edhe arkeologjia na mundëson të mburremi, të themi se kemi qenë gjallë dhe se kemi lënë diçka pas, pa u futur në argumentimin për vërtetësinë e shkencës së arkeologjisë, pra ja që paskemi një të kaluar. D.m.th., edhe “nëntokën” ne nuk e kemi zbuluar, por joshqiptarët e kanë bërë këtë për ne. Nuk e di këtë të kaluar ata të kaluarit tanë a e kanë ditur, por nëse mbështetemi tek ne, atëherë edhe ata na kanë “tradhtuar”… Pra, kaloi një kur nuk e dimë se ku ishim dhe u shfaq një perandori osmane, ose siç kemi dëshirë ta quajmë otomane, ku ne ishim pjesëmarrës të gjallë. Asokohe ata/ne e kemi dashur me mish e me shpirt atë! Besoj se ju kujtohet emërtimi “arnaut”, është përdorur edhe para se të përdoret te shqiptarët shqiptaria. Pjesëmarrja jonë brenda saj ishte zgjati shumë, por ne këtu, sipas shkrimeve sidomos të tanishme, asokohe paskemi qenë hiçgjë. Me fundin e kësaj perandorie, mendoj se ka pasur mundësi ky komb ta shfrytëzonte lirinë e duhur po të kishte qenë “inteligjent. Për fat të keq, sipas disa rrëfimeve edhe fundin e kësaj perandorie nuk kemi qenë në gjendje ta dimë dhe ta kuptojmë, por “anadollakët” na thanë: formojeni pra shtetin tuaj.

Për kohën e Ismail Qemalit shyqyr Zotit që “nuk” kemi ditur të shkruajmë; do të dëshiroja t’ju acarojë kjo që them, por mjafton vetëm të shkoni në bibliotekë e të shihni se kush jemi, e pastaj të flasim. Dëshmi e mjaftueshme për ne është ta kuptojmë se ne e kemi shumë të vështirë ta mbrojmë edhe të kaluarën tonë, dhe atë për arsye se mburremi se jemi shumë inteligjentë; çfarë do të thotë kjo: e dimë se kush jemi, jemi ata që nuk kemi ditur të bashkohemi, të krijojmë shtetin e duhur. Mjafton koha “ime” të flasë se mund të jetë si argument, sepse jam/jemi ende gjallë, pra koha e gjallë të flasë ashtu siç duhet. Me shumë peripeci në krye të shtetit erdhi Ismail Qemali, e më pas me dëshirën tonë erdhi austriaku princ Vidi (sa e përcollën turkun na erdhi evropiani). Që ta kuptojmë më mirë këtë duhet ta përkujtojmë edhe kohën pjellën tonë “të fundit” tonë – komunizmin shqiptar: mjerim i gjallë, “shtet” pa asgjë. Kjo nuk duhet kuptuar si ofendim, por për vetëdijesim, sepse e ardhmja jonë mbështet mbi këtë mendësi të padurueshme, plot turp, ndërsa si teolog, besimtar, do të mbështetem vetëm mbi besimin, fenë, sepse praktikimet e ndryshme janë tepër naive, primitive, të pista.

Shpeshherë jemi ballafaquar me fraza të ndryshme plot ofendim: thuajse feja me dhunë futet, pranohet/refuzohet. Këtë e dëshmojnë bisedat apo debatet e ndryshme nga gjithologët që rrahin ujë në havan. P.sh., si është e mundur të argumentoj unë se njerëzit “nuk besojnë”, ose se tallen me fenë, diçka që te ne është bërë frazë kushtetutare fundamentale historike se “feja e shqiptarit është shqiptaria”? Diçka që asnjë kohë/fjalor nuk e pranon, përpos “patriotizmi” shqiptar. Ç’mund t’i thuhet kësaj veçse: dobësi intelektuale, idiotizëm i paparë, varfëri kulturore, mjerim filozofik dhe dënim fetar, e më e keqja izolim kulturor e shkencor. Dhe kjo kur flitet, flitet vetëm në mesin e albanezëve, shqiptarëve, sepse të huajt pas të cilëve ne vrapojmë fare nuk na e varin veshin, ngaqë nuk kanë kohë të merren broçkulla të tilla. Kur flitet te ne për filozofinë flitet me gjuhën e kompjuterit, që filozofia e ka urryer më së tepërmi; kur flitet për teologjinë, flitet me gjuhën e pazarit. Mund të themi: po ç’kemi ne? Ne kemi çallëmin, mburrjen, “trimërinë”, mashtrimin dhe (pa)shtetin. Ne kemi “burra” shqiptarë që dalin e thonëprej sot e braktisim fenë islame”, duke harruar atë karakterin me të cilin mburret shqiptaria se ne “nuk dimë të tradhtojmë”. Po kjo si mund të quhet? Edhe një tradhti në vazhdën e tradhtive dhe dëshmive për varfërinë kulturore, shkencore e shpirtërore.

Shyqyr Zotit që nuk kemi filozofë, njerëz që merren me urtësinë, sepse do të bënin harikiri, jo vetëm për t’u larguar nga ky lloj materiali njerëzor, por nga turpi do të bënin çmos që të mos e dëgjojnë këtë “dëshmi” të hershme se ne jemi “hiç”. Kjo ishte diçka, një tallje, faktikisht një mashtrim i asaj që ne e quajmëburrëri” shqiptare: si t’i bashkohemi Evropës, nga Bullgaria, Greqia e deri te “porta” e Gjermanisë, duke harruar thëniet e nënave tona që s’kanë ditur të shkruajnë e lexojnë, por që kanë pasur shpirt, dhe ai shpirt shpeshherë i ka detyruar të këshillojnë: kujdes se mos e hidhërojmë Zotin. Dhe e gjithë kjo po debatohet se “ne jemi për liri”. Për çfarë lirie flisni? Shpirti nuk ka nevojë të jetë i lirë, shpirti është vetë liria, ai është fuqi pa “fillim” e “mbarim” që përmban: turpin, ndërgjegjen dhe diturinë, dashurinë të cilën për fat të keq mediumet tona demo(n)kratike

Deshëm ne apo jo edhe koha e diktaturës edhe koha e “lirisë/sllobodës” na ka mundësuar të kemi institucione fetare. Por shtrohet pyetja: pse ekziston institucioni më i lartë fetar? Sipas dukurive të ndryshme që i shohim ky institucion nuk ekziston, sepse ai e ka një përgjegjësi “materialisht” ta mbrojë veten dhe besimtarët, faktikisht pa “metafizikë”; ai ka obligim material t’i mbrojë besimtarët nga fjalët e lartthëna, me një fjalë të jetë shërbëtore për mirëqenien e vet. Por, në të njëjtën kohë ky institucion mbështetjen e vet e ka mbi atë që nuk ka mundësi ligjërisht ta mbrojë vetveten, mbi metafizikën e fesë, “gajbin” e fesë. Na pëlqeu ose jo, kjo është kështu, kjo është duke na e mbytur fuqinë, duke e bërë të padurueshme, e në anën tjetër ata që janë në krye të këtij institucioni harron edhe përgjegjësitë e veta statutore që të vetmen dëshirë që kanë është të jenë përfaqësues përjetshëm këtij institucioni (duke e shpërfillur vetë Kushtetutën e institucionet dhe fjalët e veta). Kjo mund edhe të mos na interesojë, por është me rëndësi se kur nëpërkëmben rregullat ja çfarë mund të ndodhë: dalin bagabondë që fyejnë fenë dhe fetarin, e ky institucion nuk di si t’i mbrojë. Thashë më sipër se ky institucion në mënyrë materiale ka përgjegjësi ta mbrojë identitetin e paprekshëm fetar e kulturor të besimtarit dhe t’i mësojë ata si duhet mbrojtur fenë.

Koha nuk hesht, ajo flet, pa marrë parasysh nëse dikush e dëgjon e dikush jo; sidoqoftë ajo duke u mbështetur mbi metafizikën e saj flet me gjuhën e vet edhe në atë kohë kur nuk dëgjohet asgjë dhe me ndihmën e Fjalës së dërguar nga Perëndia, si: Tevrati, Inxhili, Zeburi, Kur’ani na thërret në vetëdijesim e sinqeritet, duke na tërhequr vërejtjen: mos u tallni me Fjalën e Zotit; ajo ka qenë dhe mbetet Fjala e paprekshme e shpëtimit dhe sigurisë. Kjo Fjalë neve na mëson që të mos kemi shoqëri të tillë, ta vetëdijesojmë masën që të mos merret me keqpërdorimin e metafizikës. Kur them “metafizikës” mendoj në Fjalën e Zotit të paprekshme, të shijshme, të lezetshme, plot kënaqësi që nuk të lë vetëm asnjëherë, që të mëson si të jetosh e si të dashurosh dhe të kesh ardhmëri. Besoj se është tepruar, të mos them është banalizuar në mesin tonë kjo çështja e “kombëtarizmit”, që fare nuk përfillet sot në hapësirën demokratike që ne e duam shumë, e për çka sinqerisht them se ne duhet me seriozitet dhe dije të dëshmojmë se jemi pjesëmarrës të mençur dhe të kulturuar në të, që e kuptojmë mirë tradhtinë dhe rrezikun e demokracisë, e sidomos të asaj që dhurohet “me letër”. Paraqitja e asaj “sot e lamë fenë” është një shenjë shumë e rrezikshme, nënçmuese për popullin që mëton të dëshmojë se i përket një kulture të Perëndimit, e lëre më të Lindjes; kësaj nuk mund t’i përgjigjet askush, përpos lutjes: “Zot falua, se nuk dinë…” as jobesimtarë nuk dinë të bëhen.

Abedin Othmani