Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Thotë Ibn Tejmije r.h.m.: “Allahu njeriut ia ka dhuruar zemrën e cila i shërben për njohjen e gjërave, ashtu siç ia krijoi syrin me të cilin e shikon botën rreth vetit, veshin me të cilin dëgjon zërat rreth vetit.”

Allahu ia dhuroi gjymtyrët dhe secili prej tyre ka rol dhe funksion të veçantë, duart i shërbejnë për kapje, këmbët për lëvizje, gjuha për komunikim dhe për të shijuar, hunda për njohjen e aromave dhe organet tjera të jashtme dhe të brendshme, të gjitha këto e kanë rolin e vet. Zemra është kryepar i pjesëve tjera të trupit. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Në trupin e njeriut është një organ, nëse ai është i shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, nëse ai është i prishur, tërë trupi ndien shqetësim, vërtet kjo është zemra.” (Buhariu, 52; Muslimi, 1599)

Me lejen e Allahut do të përmendim disa mesazhe nga verseti 36 i kaptinës El-Isra, në të cilën Allahu i madhërishëm thotë:

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.”

(El – Israë, 36)

Ky verset është vazhdim i verseteve të mëparshëm në të cilët Allahu urdhëron tri gjëra: urdhëron mosmbytjen e njeriut padrejtë, urdhëron largimin nga pasuria e jetimit dhe urdhëron peshimin e drejtë në litër dhe kandar, ndërsa pastaj në versetet në vazhdim ndalon tri gjëra: i ndalohet që njeriu mos t’i qaset asaj që nuk di, ndalohet ecja në tokë me kryelartësi dhe mendjemadhësi dhe ndalon shirkun ndaj Tij.
Në fjalët “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri” është ftesë për njeriun që mos t’i qaset asaj që nuk di, bile për të është mirë që të vërtetojë atë që punon, flet ose transmeton. Hulumtimi në gjitha gjërat tregon në sjellje të bukur të personit. Ky është njëri prej shkaseve më të mëdha që njeriun e udhëheq tek e vërteta dhe e drejta. Duke iu falënderuar hulumtimit njeriu me ndihmën e Allahut shmang shkaset e pendimit dhe shkatërrimit.
Fjalët “Për atë që nuk njohuri (dituri)”, janë të karakterit të përgjithshëm dhe përfshijnë të gjitha sferat e jetës së njeriut. Për këtë njeriu e ka obligim të kontrollojë të gjitha veprimet e tij. Ai nuk bie vendim pa dituri, nuk ndërton bindje pos me diturinë e vërtetë dhe asgjë nuk bën pa dituri. Allahu e do të folurit i cili është i lidhur me dituri dhe drejtësi, ndërsa urren të folurit e padrejtë dhe pa dituri. Allahu i madhërishëm thotë:
“Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni All-llahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për All-llahun atë që nuk e dini se është e vërtetë.”

(El – A’rafë, 33)

Allahu urdhëron drejtësi qoftë kur ka të bëjë edhe me armiqtë e islamit. Allahu i madhërishëm thotë:

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni.”

(El – Maide, 8)

Fjalët “Mos iu qas asaj” ka ardhur në kontekstin e negacionit dhe në këtë verset udhëzon në ndalesë.
“Të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi”, kjo fjali ka ardhur në formën e shpjegimit të shkakut, kuptimi i së cilës është lëre atë që është e ndaluar, ngase Allahu i madhërishëm të dhuroi dëgjimin, të parët dhe zemrën për ta falënderuar. Allahu të sprovon me begati për të cilat në ditën e Gjykimit do të pyetesh, andaj begatitë e Allahut mos i shfrytëzo për bërjen e mëkateve. Allahu i madhërishëm thotë:
“All-llahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.”

(En – Nahl, 78)

Allahu i madhërishëm së pari përmend dëgjimin, pastaj të parët e në vendin e fundit zemrat, e cila është stacion i fundit i shqisave. Dëgjimi dhe shikimi janë dritare dhe rrugë me të cilat te zemra arrijnë gjërat e dobishme dhe të dëmshme. Atë që syri sheh reflektohet në zemër sikur shikimi i ndaluar, pastaj atë që veshi dëgjon nga e mira dhe e keqja shprehet në zemër.
Allahu së bashku me dëgjimin dhe të parët përmend zemrat, që qartë udhëzon që njeriu do të pyetet për veprat e zemrës, sikur që do të jetë i pyetur për atë që dëgjon dhe sheh. Në veprat e zemrës numërohet teuhidi për të cilin njeriu do të shpërblehet, pastaj shirku për të cilin njeriu do të qëndrojë përherë në zjarr si dhe veprat e tjera të shumta, siç janë: bindja, kënaqësia, mbështetja te Allahu, dashuria, urrejtja, zilia, etj.
Allahu i madhërishëm njeriut ia dhuroi zemrën për njohjen e gjërave. Zemra është kryepari i shqisave dhe organeve tjera. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Në trupin e njeriut është një organ, nëse ai është i shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, nëse ai është i prishur, tërë trupi ndien shqetësim, vërtet kjo është zemra.” (Buhariu, 52; Muslimi, 1599)
Fjalët e Allahut të madhërishëm “Për të gjitha këto ka përgjegjësi”, kanë edhe kuptim metaforik d.m.th. njeriu do të pyetet për veprimet e veshëve të tij, syve dhe zemrës. Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik thotë:
“Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar.”

(En – Nurë, 24)

Kur dihet që njeriu do të pyetet për dëgjim, shikim dhe zemër, tek ai është që të kontrollojë dhe hulumtojë vazhdimisht shpirtin e tij. Ai do të pyetet për çdo veprim të organeve të tij. A janë veprimet e tij të dobishme për t’u afruar tek Allahu i madhërishëm apo të dëmshme dhe të orientuar në mosbindje ndaj Allahut? Për këtë njeriu duhet të përpiqet që organet e tij t’i ruajë nga ajo që është e dëmshme në mënyrë që kur të pyetet të ketë përgjigje të qartë. Ai i cili organet e tij i shfrytëzon në bindje ndaj Allahut, ai i ka ruajtur dhe siguruar në kënaqësi të perhershme, ndërsa ai që i ka shfrytëzuar në mosbindje ndaj Allahut, ai i ka shkatërruar dhe sjellur në vuajtje të tmerrshme, na ruajtë Allahu nga kjo.
Verseti përmban një vlerë edukuese-shoqërore e cila ummetin islam e shpëton nga shkatërrimi. Ai i cili nuk ka kujdes për dëgjimin e tij, shikimin dhe zemrën e tij, por i lë në mëkate, i tilli kontribuon prishjen e ummetit, prishjen e vlerave të akaidit dhe moralit dhe shkakton këputjen e marrëdhënieve ndërnjerëzore për shkak të përhapjes së të folurit të keq në mes njerëzve. Ka thënë Ibn Tejmije: “Organet e përmendura në verset paraqesin themelin me të cilin njeriu vie deri te dituria dhe njohuria, që e dallon nga krijesat tjera dhe me anën e tyre njeriu dallon atë që do nga ajo që urren, me ndihmën e tyre dallon bamirësit nga tjerët që nuk janë. Allahu i madhërishëm thotë:
“Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.”

(El – A’rafë, 179)

Allahu në verset përmend dëgjimin, shkimin dhe zemrën për shkak se në këto fshihet rreziku më i madh, ngase duke iu falënderuar këtyre njeriu vie deri te dituria dhe njohuria e dobishme dhe dallon nga qeniet tjera.

Prof. Sadik Turkoviq

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)