Mrekullia profetike në analfabetizmin e Pejgamberit a.s.

Mahmud Abdulkadir Arnauti (r.a)

Këmbëngulësia e shumë orientalistëve nga disa shtete evropiane është edhe thënia e tyre se Pejgamberi a.s., “ka ditur të shkruajë dhe të lexojë”, e këtë e thonë me qëllim të mohimit të shpalljes së Kuranit nga Allahu xh.sh., dhe si rezultat i kësaj të mete, se ai është shkruar nga Pejgamberi a.s.

Kjo gënjeshtër synon rrënimin e njërës prej bazave apo fundamenteve më të rëndësishme të fesë Islame, e bile synon rrënimin e bazës kryesore mbi të cilën është ngritur feja Islame, ajo bazë është shpallja hyjnore, siç thotë edhe Prof. Dr, Muhamed Salih El-Bundak në librin e tij “Fi Suhbetin Nebij” f.142.

Analfabetizmi i Pejgamberit a.s., është njëra nga mrekullitë e jashtëzakonshme të Pejgamberit a.s., dhe njëri nga argumentet e fuqishme të fuqisë së Zotit, sepse këtij Pejgamberi, i cili nuk dinte të shkruajë dhe të lexojë, Allahu xh.sh., iu drejtua me këto fjalë: ”…të mësoi çka nuk dije. Dhuntia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe” (Nisa:113), dhe kështu ai u bë mësuesi më i famshëm që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore, për një periudhë kohore që nuk i tejkalon njëzetë e tre vjet. Dhe nuk ka kaluar në botën tjetër përderisa shokët e tij nuk i kanë kuptuar në tërësi dhe në mënyrë të mirëfilltë mësimet fetare të zbritura nga Allahu xh.sh., kur edhe ka zbritur ajeti kuranor, ku thotë Allahu xh.sh.: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide: 3), për një periudhë të shkurtër para vdekjes së Pejgamberit a.s., (për më shumë rreth kësaj teme shih shkrimin e autorit me titull: “Vitet e studimit-mësimit gjatë periudhës profetike” të botuar në revistën Dituria Islame, nr. 295).

Demantimi i pretendimeve të disa orientalistëve

Në Kuranin famëlartë dhe hadithet e Pejgamberit a.s., ekzistojnë shumë argumente që demantojnë pretendimet e disa orientalistëve dhe atyre që pasojnë metodën e tyre prej bijve të myslimanëve të impresionuar nga metodologjia e tyre, Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Atë (mëshirën) do ta caktojë për ata të cilët i ruhen (mëkateve), e japin zeqatin, dhe për ata që argumentet tona i besojnë. Që pranojnë të Dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtyte të tij), te ata në Tevrat dhe Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe ua ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit.” (A’raf, 157-158).
Allahu xh.sh., gjithashtu thotë: “Thuaj (Muhamed): O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju, Allahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i Tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljen e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën!” (A’raf, 159).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’au lexojë ajetet e Tij, t’i pastroj ata, t’ua mësojë librln dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (El-Xhumua, 2).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: “Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që e shkruaje atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit?!” (Ankebut, 48).
Pejgamberi a.s., u rrit në mesin e atyre që konsideronin analfabet më shumë sesa ata vetë Pejgamberi a.s., në një hadith ka thënë: “Me të vërtetë ne jemi një popull i cili nuk di të shkruajë e as të llogarisë” (Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi).
Ky hadith tregon gjendjen e arabëve para ardhjes së shpalljes, ndërsa pas shpalljes filloi një faqe e re e shkencës dhe kulturës në historinë e Ymetit të Pejgamberit a.s.
Prandaj, në mesin e një populli analfabet, që nuk ka ndonjë bagazh të njohurive rreth popujve përreth tyre, përveç ndonjë poezie që e transmetojnë apo gjenealogjie që e memorizojnë, apo retorike të natyrshme që kanë trashëguar, numri i të cilëve nuk i kalon gishtërinjtë e duarve, në këtë mes u rrit Pejgamberi a.s., i cili konsiderohet analfabet edhe më shumë se sa ata, sepse nuk transmetohet të ketë thënë ndonjëherë ndonjë poezi apo fjalim në publik, apo të ketë shfaqur interesim në memorizimin e gjenealogjisë. Për këtë arsye memoria e tij mbeti e pastër nga gjërat e kota dhe mitet, duke pritur ajetet ndriçuese të Kuranit, atëherë kur do t’i shpallet pejgamberia.
Prandaj, analfabetizmi, siç thotë profesor Muhamed Hasen Abdulaziz në librin “Fi Suhbetin Nebij” f.142: “është virtyt me të cilin Allahu xh.sh., e ka veçuar Pejgamberin e Tij dhe të zgjedhurin e Tij, Muhamedin a.s, në mënyrë që të jetë argumenti më i fuqishëm i ftesës së tij, dhe argument i mrekullisë së tij të përhershme nëpër kohë”.
Pra, analfabetizmi i Pejgamberit a.s., është çështje që nuk toleron dyshim, dhe nuk ka nevojë për hulumtim të mëtutjeshëm.

Mahmud Abdulkadir Arnauti (r.a)
Përktheu dhe përshtati nga gjuhu arabe, Vedat Shabani
/islamgjakova