Muhamedi a.s edukator dhe mësues i njerëzimit

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)

Falënderojmë Allahun xh. sh., Krijuesin e gjithësisë, i Cili që në ezel caktoi përkatësinë tonë të fesë islame dhe dinit madhështor, natyrshmëria e së cilës përfshinë gjithë universin, të gjallë dhe të pajetë. Salavatet dhe përshëndetjet tona më të ngrohta, qofshin për më të dashurin e Allahut dhe më të mirin e njerëzisë, krenarinë e myslimanëve dhe të gjithësisë, Muhamed Mustafanë a.s., mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në fund.

Besimi në pejgamberët e Zotit të Madhërishëm është njëri nga 6 kushtet e imanit-besimit islam. Ne si besimtarë myslimanë besojmë se Krijuesi i gjithësisë, kohë pas kohe ka intervenuar në dynja, duke zgjedhur personalitetet më të mira të këtij planeti, elitat shpirtërore, morale dhe intelektuale të njerëzimit, të dërguarit e Tij nga Ademi a.s. deri te Muhamedi a.s. Ata janë mësuesit shpirtërorë të njerëzimit, të cilët ishin zgjedhur nga Krijuesi i universit, për të mbartur mesazhin e Tij. “Ata përcaktuan konfigurimin shpirtëror dhe kualitetin intelektual të botës sonë, duke i kontribuuar në mënyrë vendimtare lëvrimit të brazdave botërore-historike.” (Hans Kung),
Si zgjidhje e Allahut, pejgamberët janë të vetmit njerëz, prapa të cilëve qëndron vetë Ai si garantues që ata janë shembuj të sigurt dhe të besueshëm në besim, religjion, traditë, moral, kulturë, zakone, sheriat dhe në mënyrën e jetës. Çdo zgjidhje njerëzore mund të jetë mashtrim, lajthitje dhe dështim. Prandaj: “Po të mos ishin pejgamberët model për njerëzit, njerëzimi do t’ i humbiste të gjitha shpresat”. (R. Garodi). Kjo për arsye se ata sollën mesazhin e Krijuesit të universit për ta udhëzuar shpirtin dhe zemrën e njeriut, për ta ushqyer përjetësisht trurin njerëzor. Sepse ata i mësuan njerëzit për ato gjëra që ata nuk i dinin dhe nuk i njihnin.
Kurani Fisnik na vërteton se Pejgamberi a.s. është mësues për gjithë njerëzimin, pavarësisht se ai nuk dinte shkrim-leximin dhe që me origjinë ishte nga shkretëtira. Kjo ndodhi kështu sepse dijen dhe edukimin ai e mori jo në shkollë, por përmes intuitës direkt nga burimi, nga i Gjithëdijshmi. “Ju dërguam nga gjiri juaj të dërguarin që t’ua lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë, e t’ju mësojë librin dhe urtësinë, e edhe t’ju mësojë atë që nuk e dinit.” (El-Bekare, 151)
Në ajetin e cituar më lartë, Allahu xh.sh. përmend objektivat e misionit të Pejgamberit Muhamed a.s.
Një nga objektivat ishte t’ua mësojë librin, urtësinë dhe gjërat e panjohura. Kështu ai u dërgua në mesin e njerëzve si një mësues dhe edukues me fokus të veçantë për t’ ua mësuar atyre besimin në një Zot, dhe për t’ i udhëhequr rrugëve të së mirës, drejtësisë, urtësisë dhe mëshirës, madhështisë dhe thellësisë së misionit të tij tokësor. Hadithi i mëposhtëm gjithashtu ofron të njëjtin objektiv.
Transmetohet nga Abdullah bin Amër bin el Asi r.a., që ka thënë: “Një ditë doli Pejgamberi a.s prej njërës nga dhomat e tij dhe hyri në xhami, e ku atje pa dy rrethe njerëzish; në njërin rreth i pa njerëzit duke lexuar Kuran dhe duke iu lutur Allahut xh.sh, e në tjetrin pa njerëz duke dhënë mësim dhe duke nxënë mësim. Pejgamberi a.s. tha: “Që të dy rrethet janë të mira dhe ka dobi prej tyre, ata lexojnë Kuran dhe i luten Allahut, nëse do Ai do t’ ua pranojë lutjen, e nëse do nuk ua plotëson, e këta që mësojnë për vete dhe i mësojnë të tjerët, e unë jam dërguar si mësues” dhe u ulë Pejgamberi tek ata.” (Ibën Maxhe)
Sipas teknikave moderne të mësimdhënies, një person është një mësues i mirë nëse ai i përsërit pikat e tij, i përdor metodat e reja dhe atraktive, jep shembuj dhe e shfrytëzon mjedisin. Ai do të duhej gjithashtu të fliste sipas pjekurisë dhe aftësisë së studentëve të tij. Ai do të duhej të bënte pyetje dhe t’ i shtonte pikat në mënyrë që t’i vë në pah mësimet e tij. Një lexues i biografisë së Pejgamberit a.s. nuk arrin dot të kuptojë se si arriti ai t’i shfrytëzojë të gjitha këto teknika.
Studiuesit objektivë habiten me aftësitë e mrekullueshme të Pejgamberit a.s., i cili arriti një popull që ishte analfabet ta kthejë dhe ta shndërrojë në një komb krenar për diturinë, ku dijetarët dhe shkencëtarët qëndronin në maje të piramidës. Kur ne mendojmë mbi sekretin e këtij suksesi, ne shohim se Allahu xh. sh. i kishte dhënë Muhamedit a.s. aftësi të jashtëzakonshme edukative. Ai ishte një orator i zgjuar, një ligjërues bindës dhe një edukator i suksesshëm.
Prandaj, është me rëndësi këtu të potencojmë që Muhamedi a.s. pedagogjinë tij (et-terbijjetun-nebevijje) e mori nga libri i Allahut-Kurani. Bashkëshortja e tij inteligjente dhe e ditur, h. Aisheja tha se ahlaku i tij ishte personifikim i Kuranit, ndërsa vet Kurani thotë që ai është në “shkallën më të lartë të moralit.” Vetëm ai që është i edukuar mund t’i edukojë të tjerët dhe kjo është abc-ja e kësaj shkence apo shkathtësie.
Në transmetimin e porosisë islame, Pejgamberi Muhamed a.s. shfrytëzoi mjetet pedagogjike, të cilat në këtë jemi të sigurt, se mahnitën teoricienët dhe studiuesit bashkëkohorë në shkencën e pedagogjisë. Ai paraqitet ballëhapur, me qëllime të mira, ai flet qartë dhe ngadalë, me maturi, në mënyrë tërheqëse, ai vishet me elegancë, i pastër, pa ekstravagancë, ai e paraqet në mënyrë koncize mendimin e tij, ai “vizaton” në rërë, ai e përsëritë atë që e ka thënë, ai e pyet atë të cilit ia përcjell porosinë, ai lavdëron, ai edhe qorton, ai premton dhe e zbaton atë që ka premtuar, ai kërkon falje prej atij që padashur e ka ofenduar, ai bën humor në mënyrë inteligjente duke mos e ofenduar atë në llogari të cilit e bën atë, përkundrazi, duke iu afruar edhe më shumë personit të tillë, ai i viziton të sëmurët dhe u jep shpresë atyre, ai ia fal atij që duhet falur, ai vepron me drejtësi, ai ec me maturi, krenari, asnjëherë me mendjemadhësi, shkurt, ai i përmbahet” rrugës së mesme” kuranore në stilin e gjithëmbarshëm të jetës së tij.
Metodat e Pejgamberit a.s., të thirrjes në fe (besim), pra ishin rezultat i frymëzimit të Allahut xh. sh. E kishte edukuar Zoti i tij, prandaj edhe metodat të cilat i përdori ishin të plota dhe të përkryera. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne duhet ta “shikojmë” Pejgamberin a.s, si një instrument të kulluar të shpalljes. Ata që kështu e shohin Pejgamberin a.s. bëjnë gabim, sepse ai kishte hapësirë të mjaftueshme, krahas udhëzimeve (instruksioneve) të pranuara nga shpallja, që ta angazhojë potencialin e tij mendor dhe aftësitë strategjike. Të vetmen mrekulli të vazhdueshme të cilën e kishte është Kurani, sipas të cilit jetoi dhe i cili i ndihmoi që të maksimalizojë gjithë plotësinë e potencialit të tij intelektuale-shpirtëror.
Studimet pedagogjike konsiderojnë se mënyra më e mirë për vlerësimin e nivelit të mësuesit është vlerësimi i nxënësve të tij. Andaj nëse mbështetemi në këto studime do të vijmë në përfundim se Pejgamberi a.s., ka qenë edukatori dhe mësuesi më i madh, sepse për nxënësit dhe studentët e tij Allahu, xh.sh. ka thënë:
“Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve.”. (Ali Imran: 110).
Ky fakt është i rëndësishëm për ta potencuar, për arsye se tregon për inteligjencën, kualitetin dhe sukseset e jashtëzakonshme të bartëseve të parë të islamit.
“Është krejtësisht e qartë, që për përhapjen e një ideje ka nevojë për bartës të urtë dhe të mprehtë, meqë vetë saktësia dhe vërtetësia e një ideje nuk garanton edhe përhapjen dhe mbijetesën e saj në mesin e masave të gjëra. Është e nevojshme të tërheqim vëmendjen në këto fakte për një arsye të thjeshtë që shumë myslimanë e “humbasin” në ndjekjen e formës, në përpjekjen që nga ana e jashtme t’u ngjajnë sa më shumë atyre gjeneratave, ndërsa nga ana tjetër neglizhojnë të përvetësojnë edhe mentalitetin e tyre”. (E.Tule).
Prandaj, e shoh të arsyeshme dhe me vlerë që këtu ta shtrojmë një pyetje: Cili ishte sekreti i arritjeve dhe sukseseve të tyre të njëpasnjëshme. Ku qëndron fshehtësia e përparimit të tyre?
Fshehtësia e gatishmërisë së gjeneratës së parë të islamit për të filluar me vetëbesim procesin e pushtimit, çlirimit të gjithë botës së atëhershme qëndronte në komunikimin e jashtëzakonshëm interaktiv të Pejgamberit a.s. me anë të cilit formoi proceset e tyre mendore, duke i aftësuar ata që t’i trajtojnë në mënyrë të pavarur realitetet e jetës. Këtë ai e bënte duke formuar grupe të punës nga sahabët e tij, dhe duke përdorur metoda të ndryshme të mësimit dhe edukimit, në formë të pyetjes, përsëritjes së fjalëve, paralajmërimit, krahasimit etj.
Që të mund ta imitoj më Pejgamberin a.s. është e domosdoshme që ta njohim jetën dhe biografinë e tij, fjalët dhe sjelljet e tija, veprën, misionin dhe vizionin e tij për umetin. Shembujt nga jeta e tij janë të shumtë dhe realisht të pamundur për t’u përfshirë në një artikull si ky. Këtë radhë do të përqendrohemi në dy raste nga jeta e të Dërguarit a.s. I pari ka të bëjë me aplikimin e metodës të përsëritjes së fjalëve dhe fakteve të rëndësishme me qëllim për të tërhequr vëmendjen, zgjuar intelektin dhe ngjallur kureshtjen e të pranishmeve, për të mësuar këta se cili do të ishte rezultati përfundimtar. Gjendja emocionale e auditorit bëhet edhe më intensive kur përsëritja e fakteve bëhet duke u betuar në Krijuesin e Madhërishëm-Allahun (xh.sh.). Ndërsa rasti i dytë është aplikimi i metodës interaktive me të pranishmit në seminarin e zhvilluar nga ana e Pejgamberit a.s. me tezën e shtruar: “Kush është i bankrotuari i vërtetë”?

Përsëritja e fjalëve dhe fakteve të rëndësishme

Pejgamberi a.s. e kishte zakon të përsëriste fjalët e tij me qëllim që të theksonte rëndësinë e një çështjeje. Transmetohet nga Ebi Shurejhel Huzaij se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasha Allahun! Ai nuk është besimtar, ai nuk është besimtar, ai nuk është besimtar!” Për shkak të përsëritjes, të gjithë shokët e tij që ishin pranë u bënë shumë të vëmendshëm dhe të etur për të dëgjuar me tej. Madje njëri prej tyre pyeti: “Kush është ai, o Pejgamber i Allahut?” Ai u përgjigj: “Ai person nga të këqijat e të cilit nuk janë të sigurt fqinjët.” (Buhariu)
Tani, si është e mundur që dëgjuesit të cilët e dëgjojnë këtë këshillë të dështojnë në marrëdhëniet e tyre me fqinjët? Pejgamberi a.s. me këtë hadith na mësoi dhe na tërhoqi vërejtjen se ne nuk do të jemi pasuesit e tij, përkundër besimit dhe të gjitha llojeve të adhurimeve tona, nëse fqinjët tanë nuk janë të qetë prej nesh.

A e dini ju kush është i bankrotuar?

Të shohim atmosferën në njërin nga seminaret e tilla që është zhvilluar para 14 shekujve. Ky seminar intelektual fascinon me thjeshtësinë, kreativitetin dhe praktikën gjeniale të Muhamedit a.s.
Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë: “A e dini ju kush është i bankrotuar? Sahabët i thanë: “I bankrotuar (falimentuar) është ai që s’ka as para, as mall”. Pejgamberi a.s. tha: “Me të vërtetë i falimentuar nga umeti im është ai i cili vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim dhe zekat, por nga ana tjetër ka sharë dikë, ka ofenduar dhe fyer në nder një tjetër, ka ngrënë padrejtësisht pasurinë e dikujt, ka derdhur gjakun e këtij, ka goditur (rrahur) atë. E secilit prej tyre do t’ ia jap nga një pjesë prej veprave të tij të mira, e nëse i harxhohen veprat e mira para se t’ua shlyejë atyre të gjitha borxhet, atëherë do të merren prej veprave të tyre të këqija dhe do t’i jepen këtij, e pastaj bashkë me to, do të hidhet në zjarr.” (Muslimi)
Trajnuesi (Pejgamberi) a.s. shtron tezën: “A e dini ju kush është i bankrotuar?” dhe pret interaksionin. Ku është poenta e Pejgamberi a.s.?
Teologu dhe psikologu boshnjak Edin Tule në librin e tij “Kur’anski tretman stresa” , Sarajevë, 2011, e interpreton këtë hadith si më poshtë:
Mendimi mbizotërues i pjesëmarrësve në këtë vorkshop intelektual është shprehur në formulimin: “I bankrotuar te ne është ai që nuk ka as para as mall.” E kjo e bëri Pejgamberin a.s. të kuptojë që domethëniet e kësaj fjale janë reduktuar në kokat e bashkëkohësve të tij në një kategori të thjeshtë ekonomike.
Trajnuesi (Pejgamberi) a.s., e pranon atë përgjigje dhe e plotëson duke e zgjeruar kuptimin e emrit “i bankrotuar” në një kontekst të ri jashtë-ekonomik, që nënkupton humbjen e veprave të mira përmes një arsyetimi të gabuar dhe reaksioni të papjekur emocional.
Pejgamberi a.s., duke komunikuar në mënyrë interaktive me pjesëmarrësit në këtë seminar në tezën e shtruar, fut në botën e njerëzve të kohës së tij dhe në vokabularin (fjalorin) e tyre kategori të reja të të menduarit, sikurse është bankrotimi intelektual dhe bankrotimi emocional, duke i mësuar sahabët, por edhe gjithë botën, që është shumë më e rrezikshme të bankrotosh emocionalisht dhe intelektulalisht, sesa financiarisht. Me këto neologjizma (formulime), për të cilat fare nuk mendon, e as nuk i shfrytëzon intelektuali i shek. 21, ndryshoi raporti i bashkëkohësve të Muhamedit a.s. ndaj vlerave konvencionale.
Sepse, një njeri për të cilin prioritet shumë më i madh është që kurrë të mos bankrotojë intelektualisht dhe emocionalisht, se sa frika kur është fjala për bankrotimin financiar, ai i shtron drejtë nocionet në listën e vlerave jetësore.
Duke pasur parasysh fuqinë e aspekteve komunikativo-interaktive (ndërvepruese) të qasjes edukative të Muhamedit a.s., përmes vorkshopeve praktike, nuk është çudi që gjeneratat e para të myslimanëve e pushtuan-çliruan botën e atëhershme të njohur dhe i magjepsën ata me mprehtësinë e mendjes dhe madhështinë e zemrës.
Në bazë të këtyre dy shembuj ve ne pamë shumë qartë se si arriti Pejgamberi a.s. para më shumë se 14 shekujsh të arsimojë dhe edukojë një gjeneratë të shkëlqyeshme të sahabëve të tij. Po ashtu, u pa qartë rëndësia që ai i jep komunikimit të ndërsjellë mes njerëzve. Dhe e fundit të gjitha këto mësime dhe metoda janë të shënuara dhe të evidentuara mirë me qëllim që edhe ne të përfitojmë prej tyre.

Referencat:

_______________________
1. Abdulfetah Ebu Gudde, “Pejgamberi a.s. si mësues dhe metodat e tij të
mësimdhënies”, N. Pazar, 2003)
2. Shefik Kurdic, Poslanikove metode pozivanja u vjeri, N.Pazar, 2008.
3. E. Tule, Socio-psiholoskedimenzije Ku/ana, Sarajevë, 2010).
4. Edin Tule në librin e tij “Ku’anski tretman siresa”, Sarajevë, 2011
5. www.islam-auf-deutsch.de
6. www.novovrijeme.ba
7. www.rasoulallah.net

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)