Muri i ri, i gjatë mbi 50 metra

Të martën do të fillojë ndërtimi i murit të ri, i cili do të jetë i gjatë mbi 50 metra, prej kafenesë “Dolce Vita” e deri tek “Lagjja e Boshnjakëve”, shkruan sot gazeta Zeri.

Partitë në pushtet e kanë përshëndetur rrënimin e murit në veri të Ibrit, duke thënë se më nuk do të ketë mure në atë pjesë, megjithatë tashmë është e qartë se të martën do të fillojë ndërtimi i murit të ri. Madje kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq dhe nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq. Opozita në anën tjetër thotë se pushteti po manipulon me qytetarët dhe ka kërkuar që të respektohet Rezoluta e Kuvendit, e cila kërkon që në pjesën afër urës së Ibrit të mos ketë ndryshime nga pamja që ka qenë deri në vitin 1998-1999.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të ketë më mur në veri të Ibrit dhe se aty do të fillojë realizimi i një projekti të ri sipas ligjeve të Kosovës.

“Mur më nuk do të ketë, ai është rrënuar. Nesër do të ketë një projekt të ri, i cili do të jetë në përputhje me legjislacionin dhe që do të garantojë lëvizjen e lirë”, ka deklaruar Veseli.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve nga njerëzit, që sipas tij e shohin vetëm karrigen dhe të cilët paguajnë çdo çmim vetëm për të qenë në pushtet. Veseli ka “thumbuar” deputetin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurtin, (i cili aktualisht është në Norvegji), duke thënë se dikush ka menduar që po bëhet luftë dhe është larguar nga Kosova.

“Mos lejoni manipulime nga njerëzit që e shohin vetëm karrigen dhe që paguajnë çdo çmim për të qenë në pushtet, ata nuk ia duan të mirën Kosovës. Edhe disa që kanë ikur që u frikësuan se do të bëhet lufta le të kthehen në Kosovë, mos të tuten, sepse këtu duhet të qëndrosh edhe kur është mirë edhe kur është keq”, është shprehur Veseli.