Ballina Sport Futboll Muriqi pasi tejkalon Eto’on te Mallorca, synon Mbappen në La Liga

Muriqi pasi tejkalon Eto’on te Mallorca, synon Mbappen në La Liga

Pasi tejkaloi legjendën Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas, sulmuesi Vedat Muriqi ka një synim tjetër deri në fund të sezonit aktual.

Ta tejkalojë francezin Kylian Mbappe në renditjen e shënuesve më të mirë në La Liga për ta rrëmbyer çmimin “Pichichi” për më së shumti gola brenda një sezoni në kampionat.

Mbappe, aktualisht është golashënuesi më i mirë në kampionatin spanjoll me 23 gola, vetëm dy më shumë se Muriqi që renditet i dyti në listë kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të sezonit.

Muriqi në ndeshjen e fundit të Mallorcas, u bë golashënuesi më i miri në histori të klubit me 55 gola të realizuar, një më shumë se kamerunasi Eto’o.

Sulmuesi i Kosovës, shënoi dy gola në fitoren 3:0 ndaj Rayo Vallecanos për t’i pushtuar ballinat e mediumeve në Spanjë e Kosovë.

31-vjeçari po e zhvillon sezonin më të mirë në karrierë, ku është lojtari kryesor i ekipit duke shënuar më shumë se 50% të golave te Mallorca, që po lufton për të siguruar mbijetesën në La Liga.

Aktualisht, Muriqi ka 21 gola të shënuar në 30 paraqitje kampionale kurse Mallorca në 31 xhiro të luajtura deri më tani, në total ka realizuar 39 gola.

Tani, gara është mes Mbappes dhe Muriqit për golashënuesin më të mirë, duke pasur parasysh se sulmuesi i Real Madridit dhe Mallorcas, tashmë janë shkëputur në listën e shënuesve më të mirë nga pjesa tjetër.