Mustafa demanton Nasim Haradinajn: As nuk kam aplikuar as nuk jam shpallur veteran i UÇK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj Nasim Haradinajt, pasi ky i fundit deklaroi se ish-kryeministri ishte i përfshirë në listat e veteranëve  të UÇK-së.

Mustafa ka theksuar se me ‘mijëra aktivist kanë grumbulluar fonde për Kosovën gjatë viteve të nëntëdhjeta, kanë mbështetur luftën e UÇK-së financiarisht, por as ai dhe as bashkëpunëtorët e tij nuk kanë kërkuar pension për çlirimin e vendit.’

“Lexova sot në një portal, sipas dëshmisë së z. Nasim Haradinaj, se edhe unë qenkam në listën e veteranëve. Dua të sqaroj për opinionin se as nuk kam aplikuar e as nuk jam shpallur veteran i luftës së UÇK-së.

Me mijëra aktivist kemi grumbulluar fonde për Kosovën gjatë viteve të nëntëdhjeta, kemi mbështetur luftën e UÇK-së financiarisht, por as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk kemi kërkuar pension për çlirimin e vendit.

Është tragjike të lejohet që çdo luftëtarë i vërtetë të bartë në supet e tij edhe dy veteran të rrejshëm. Kështu damkoset lufta e keqpërdoren taksapaguesit e Kosovës. Duhet të veprojë ligji”, ka shkruar Mustafa, transmeton Telegrafi.