Napolin e pret dueli i vështirë me Juventusin në ligë

Napoli do të mundohet ta harrojë dëshpërimin në Ligën e Kampionëve.

Napolitanët me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes u eliminuan nga Milani në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por janë afër që të triumfojnë në Serie A.

Napoli, të dielën në orën 20:45, do të luajë në udhëtim te Juventusi. Kjo ndeshje i takon xhiros së 31-të.

Napolitanët janë liderë të ligës me 75 pikë.

Juventusi është kthyer në pjesën e epërme të tabelës pas vendimit për rikthimin e 15-të pikëve. Juventusi në vendin e tretë ka 59 pikë.

Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe tetë xhiro për t’u luajtur në Serie A, ndërsa Napoli për herë të fundit titullit i ishte gëzuar në vitin 1990 me Diego Armando Maradonën në skuadër.

Napolit i duhen edhe 11 pikë për ta siguruar titullin, por të dielën do të ketë test shumë të vështirë.

Mediumet e huaja kanë shkruar të premten se Amir Rrahmani është në dyshim për të luajtur të dielën.

Garë e fortë do të zhvillohet edhe për të zënë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.

Roma në pozitën e katërt ka 56 pikë.

Milani është i pesti me 53 pikë, kurse Interi ka 51 pikë.

Milani të dielën nga ora 18:00 e pret Leccen, kurse Empoli do të jetë nikoqir i Interit të dielën në mesditë.

Lazio zë pozitën e dytë me 61 pikë.

Të shtunën nga ora 18:00 luan kundër Torinos në shtëpi.

Ciro Immobile sërish nuk do të jetë i pranishëm në sulmin e Lazios.

Ai ishte kthyer nga lëndimi dhe kishte shënuar në vikendin e kaluar në fitoren kundër Spezias, por ka bërë aksident në Romë dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë në fundjavë.

Ka pësuar thyerje të brinjëve. Ai u përplas në tramvaj, ndërsa në veturë ishte bashkë me dy vajzat e tij.