Transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli se Muhammedi a.s ka thënë:
“Allahu i vështron të gjitha krijesat e Tij në natën e 15-të të muajit Shaban dhe i fal të gjitha krijesat, përveç atij që është mushrik (idhujtar) dhe atij që mban hidhërim (armiqësi) ndaj vëllait të tij.”(Ibn Maxheh)
Përveç të tjerash, 15 Shabani është një lloj thirrjeje zgjimi, sidomos për ata që janë të hidhëruar mes vete. Le të nxitojmë të pajtohemi para se të hyjë Ramazani.
Është e vërtetë se shumica e haditheve që flasin për 15 Shabanin janë të dobëta. Mirëpo, shumësia e tyre dhe përforcimi që ia bëjnë njëri-tjetrit e ngrejnë ndonjë transmetim nga shkalla e hadithit të dobët në shkallën e hadithit hasen, siç është rasti me hadithin e lartpërmendur te Ibn Maxheh. Kjo është temë që e kuptojnë mirë ekspertët e shkencave të hadithit.
Prandaj, e porosis veten dhe ju të gjithëve që t’i kuptojmë mesazhet e çmuara që përcillen këtu, sidomos atë që ka të bëjë me hidhërimin dhe pajtimin ndërmjet nesh.
Hoxhë Husamedin Abazi








