Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në jug të Spanjës, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Cordoba, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 21 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Sipas autoriteteve spanjolle, pjesa e pasme e një treni që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit doli nga shinat rreth orës 19:45 dhe u përplas me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madridi drejt qytetit Huelva. Në dy trenat ndodheshin rreth 500 pasagjerë.
Ministri i Transportit, Oscar Puente, tha se shkaqet e aksidentit ende nuk dihen dhe e cilësoi ngjarjen “të pazakontë”, pasi aksidenti ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës, i rinovuar vetëm disa muaj më parë.
Sipas mediave publike, drejtuesi i trenit që vinte nga Madridi është mes viktimave. Rreth 30 persona ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spitale, ndërsa mbi 100 persona kanë marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje u dërguan njësi të shumta emergjence, ambulanca dhe ekipe intensive të kujdesit për të stabilizuar të plagosurit dhe për t’i transportuar në spitale.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e quajti këtë ngjarje një “natë dhimbjeje të thellë” për vendin dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
Si pasojë e aksidentit, trafiku hekurudhor mes rajonit të Andaluzisë dhe Madridit është pezulluar, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë. /mesazhi







