NATO: Vazhdon ndihma për aleatin Turqinë

NATO tha sot se po vazhdon të ofrojë ndihmë për aleatin Turqinë pas tërmeteve të fuqishme që goditën rajonin jugor të vendit, transmeton Anadolu.

“Aeroplanët e transportit ushtarak të Aleancës po lehtësojnë lëvizjen e shpejtë të mbështetjes thelbësore për zonat më të goditura nga tërmetet”, tha Komanda Ajrore e NATO-s në Twitter.

Ajo shtoi se mbështetja përfshin ekipet e kërkimit dhe shpëtimit me qen, personel emergjence dhe furnizime.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët po mobilizojnë mbështetjen “pas këtij tërmeti të tmerrshëm”.

Komanda Tokësore Aleate e NATO-s (LANDCOM) gjithashtu kishte përcjellë ngushëllimet e saj për viktimat e tërmetit.

Të martën, vendet anëtare të NATO-s ulën flamujt e tyre në gjysmështizë në selinë e aleancës në Bruksel për të treguar solidaritet me Ankaranë.