Ndalimi i fshehjës së produkteve në kohë krizash

Dr. Bashkim Aliu

Islami ndjek metodologji të qartë për luftimin e pengimit të qarkullimit të pasurisë dhe i merr të gjitha masat e parapara adekuate dhe të duhura për ta ndaluar këtë dukuri të dëmshme për interesin e shoqërisë dhe të gjitha shtresave të saj. Prej mënyrave të këtilla është edhe deponimi të cilin e ka ndaluar Islami, sikur që do ta sqarojmë në vijim kuptimin e tij.

 

Nga Bashkim Aliu

Të deponosh diçka, do të thotë ta magazinosh për raste kur paraqitet nevoja për të. Në thëniet e të Dërguarit të Allahut është përmendur nocioni “El Ihtikar”, e që fjalorët e njohur të gjuhës arabe si Lisanul areb, El Kamusul muhit, etj, e kanë shpjeguar si vijon: “Deponimi i ushqimit që të presish rast më vonë për ta shitur”, “Grumbullimi i ushqimit dhe gjërave tjera të ngjashme të cilat përdoren për ushqim, dhe bllokimi i tyre me qëllim që të pritet koha kur do të shtrejtohen çmimet që të shitet me çmim më të lartë”. Në përkthim, ky term përkthehet “Monopol”, edhe pse monopoli si nocion ka përkufizime tjera, megjithëse edhe ai çon në rezultate të njejta.
Në terminologjinë e juristëve islamë, “El Ihtikar”, nuk dallon nga kuptimi gjuhësor. Definicionet e juristëve islamë janë të afërta në përkufizimin e këtij nocioni. Imam El Baxhi e ka përkufizuar në këtë mënyrë: “’El Ihtikar’ është deponimi i mallrave dhe synimi i profitit me lëvizjet në treg”. Pra, me pak fjalë, “El Ihtikar” është bllokimi i mallrave dhe mos nxjerrja e tyre në shitje, me qëllim që të ngriten çmimet, e pastaj të shiten me çmime disa herë më të larta. Mallrat trëhiqen nga shitja, gjegjësisht fshihen prej pronarëve të depove për shitje me shumicë apo shitoreve për shitje me pakicë, me qëllim që çmimet të ngriten për shkak mungesës së mallrave në treg dhe nevojës së madhe të njerëzve për to. Deponimi në ekonomi është:Ruajtja e një sasie të të ardhurave për në të ardhmen (Shih:El-Muëxhemu-l-vesit, vëll.I, f.309, Dr.Muhamed Revas Kal‘atxhij, Mebahith fi-l-iktisadi-l-islamij min usulihi el-fikhije, f.35, Dr.Gasan Mahmud Ibrahim& Dr.Mundhir El-Kuhf, El-Iktisadu-l-islamij ilmun em vehmun, f.233).
​Dijetarët islamë kanë theksuar se ky veprim, në rast se i dëmton njerëzit, pra kur shkakton pasoja negative dhe vështirësi për njerëzit, është i ndaluar, dhe këtë qëndrim e kanë bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut: “Deponimin e mallrave (me qëllim që të shtrejtohen çmimet), e bën vetëm një mëkatar”. Hadithin e ka transmetuar Muslimi në Sahih-un e tij (Hadithin e transmenton Muslimi në Sahihun e tij, kitabu-l-musakat, babu:tehrimu-l-ihtikar fi-l-ekvat.Shih:Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll.XI, f.36. ).
​Hakimi në veprën e tij “El Mustedrek” si dhe disa koleksionues tjerë, ka transmetuar prej Ebu Umames se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ndaloi që të deponohet ushqimi (për t’iu ngritur çmimi)”.
​Po ashtu, El Hejthemiju ka transmetuar në librin e tij “Mexhmeu ez zevaid” prej Ebu Hurejres se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush deponono diçka, me qëllim që të shtrejtohen çmimet për popullin, ai është mëkatar”.
​Në përgjithësi, ky veprim është i dëmshëm dhe destruktiv për mbarë shoqërinë, e jo vetëm për një individ. I Dërguari i Allahut qartë e ka ndaluar dëmtimin e njerëzve në thënien e tij: “Nuk ka dëm fillestar, dhe as reciprok”.
​Në këtë kontekst, edhe Kalifi i dytë Omer ibn El Hattab, në mënyrë të qartë ua ka ndaluar tregtarëve që t’i fshehin mallrat dhe mos i nxjerrin në treg, me qëllim që t’i shtrejtojnë çmimet. Kështu e ka përcjellur prej Tij Imam Maliku në veprën “El Muvetta’a”.
​Dijetarët islamë në shpjegimet e tyre qartë kanë theksuar se ndalimi deponimit të mallrave, dhe në veçanti të ushqimeve, është për shkak që mos të dëmtohen njerëzit dhe mos të shkaktohen çrregullime në treg dhe në shoqëri, e që mund të eskalojë deri në trazira në vend. Për këtë, Imam Neveviju ka thënë: “Dijetarët islamë janë të pajtimit se nëse një person posedon ushqim, dhe njerëzit kanë nevojë për atë ushqim, si dhe nuk kanë ushqim tjetër, ky person detyrohet që ta shesë këtë ushqim, me qëllim që të nxirren njerëzit prej krize, si dhe të bashkëpunojë me tjerët për të patur jetesë normale”.
​Dijetari i shquar i shkollës juridike Hanefite. Imam El Kasani ka thënë: “Bllokuesi i mallrave nga qarkullimi urdhërohet nga autoritetet që t’i nxjerr mallrat në qarkullim, me qëllim që mos shkaktohet krizë dhe mos të dëmtohen njerëzit. Urdhërohet që ta nxjerr në treg atë sasi që tepron nga nevojat ushqimore të tij dhe të familjes së tij”. Më tej, Imam El Kasani ka shpjeguar se ky person, nëse vazhdon që t’i mban të bllokuara mallrat, përsëri intervenojnë autoritetet, për së dyti dhe për së treti herë. Ndërkaq, për së treti herë, autoritetet marrin masa ndëshkuese ndaj tij.
​Në kohën tonë, edhe këshilli për fetva pranë Az’harit është prononcuar se monopoli në përgjithësi, si dhe bllokimi i mallrave nga qarkullimi në treg, është vepër penale nga aspekti fetar, ekonomik dhe social, si dhe rezultat i devijimit nga rruga e Allahut. Ky devijim ka marrë forma dhe mënyra të ndryshme. Ky gjykim, nuk i referohet vetëm bllokimit të ushqimeve nga qarkullimi, por të gjitha gjërave për të cilat njerëzit kanë nevojë. Kjo, ngase në jurisprodencën islame është e miratuar rregulla se: ‘Nevoja e merr statusin e domosdoshmërisë (Ed Darure), qoftë e përgjithshme apo e posaçme’”.
Islami stimulon që të lëvizet pasuria dhe të qarkullojë në mes njerëzve. Kjo, ngase pasuria kur qarkullon dhe shtohet, u sjell dobi njerëzve. Poashtu, Islami nxit në përsosjen e transaksioneve financiare duke e bërë sistemin financiar pjesë integrale të fesë, nxit në prosperitet dhe zhvillim shoqërorë. Mirëpo, e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa lëvizjen e ekonomisë, qarkullimin e pasurisë, pengimin e deponimit të tij nga frika se mos humbet dhe pengimin e mos shpërndarjes së tij, grumbullimin e tij në dorë të një numri të caktuar njerëzish si dhe ngrirjen e pasurisë në çdo mënyrë, bile edhe deponimi i pasurisë nëpër shtëpi çon në paralizimin e jetës ekonomike dhe gjunjëzimin e njerëzve para kamatdhënësve.
Islami urdhëron investimin e pasurisë, mos deponimin, mos grumbullimin dhe mos bllokimin e saj.
Stimulimi i prodhimit
Veprimet e shokëve të Pejgamberit s.a.v.s.(Sahabeve).Shokët e Pejgamberit s.a.v.s. kanë qenë mjaftë të kujdesshëm përkitazi me investimin e pasurisë dhe mos deponimin apo bllokimin e saj nga investimi.
Kështu, transmentohet se Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ua huazonte tokën e vetë tjerëve që ta punojnë në kompenzim të një të tretës së prodhimeve.Po kështu vepronte edhe Omer ibn Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ua jepte tokën e vetë tjerëve që ta mbjellin në kompenzim për një të tretën e bereqetit (Shih:Ebu Jusuf, Kitabu-l-haraxh, f.61).
Në librat e politikës financiare në Islam, përmendet se kalifët ndërmerrnin masa konkrete për ndalimin e mos mbjelljes së tokës dhe mos shfrytëzimin e saj.Transmentohet se i dërguari i Allahut u ndau disa personave nga fisi Muzejne apo Xhuhejne një copë tokë, por këta nuk e punuan dhe as u interesuan për të.Më vonë, disa tjerë e punuan këtë copë tokë, ndërkaq pronarët e saj i paditën këta njerëz te Omeri r.a. Omeri r.a., tha: “Sikur ta kisha ndarë këtë tokë unë apo Ebu Bekri, do ta ktheja prapë, mirëpo këtë tokë e ka ndarë i dërguari i Allahut s.a.v.s.” Pastaj tha:2Kush posedon një tokë të cilën nuk e ka punuar tre vite rresht, ndërkaq të njejtën e punojnë njerëz tjerë, këta të dytët janë më meritor për të” ( Ebu Jusuf, Kitabu-l-haraxh, f.61).
Në kohën e kalifëve të drejtë, shteti islam i investonte të gjitha resurset e veta duke ua ndarë njerëzve. Ndarja e resurseve të këtilla bëhej në forma të ndryshme (Shih:Dr.Muhamed Revas Kal‘atxhij, Mebahith fi-l-iktisadi-l-islamij min usulihi esh-sher‘ijje, f.38).
Zekati është detyrë e njohur fetare që i referohet pasurisë të cilin e obligoi Allahu që ta pastrojë pasurinë, ta shtojë atë dhe t’i mbështes të varfurit dhe të nevojshmit. Por, para së gjithash, zekati është simbol i vetëdijes fetare dhe besimit të fortë.Përskaj kësaj, pra karakterit të adhurimit, zekati mund të shqyrtohet edhe nga aspekti ekonomik si pjesë e sistemit financiar dhe social (Shih:Dr.Jusuf El-Kardavi, Fikhu ez-zekat, vëll.I, f.😎.
Bazuar në këtë, mund të thuhet se zekati përskaj asaj se është adhurim dhe detyrë fetare, paraqet edhe gjobë për mos investimin e pasurisë, sepse zekati me kalimin e kohës do ta harxhon pasurinë, ndërkaq deponimi i cili e pengon pasurinë nga investimi, shkakton dobësi ekonomike. Ndërkaq destinimi i zekatit për kategoritë të cilëve u takojnë, ka ndikim ekonomik në investimin e pasurisë (Shih: Ahmed Muhamed El-Assal&Fet‘hij Ahmed Abdu-l-Kerim, En-Nidhamu-l-iktisadij fi-l-Islam, f.113 ).
Lavdërimi i tregtarit të sinqertë
Përskaj ndalimit të deponimi të ushqimeve me qëllim të shtrejtimit, si dhe të monopolit në përgjithësi, Islami e lavdëroi tregtarin e sinqertë dhe korrekt i cili synon t’ua lehtësojë njerëzve dhe t’i nxjerr nga pozitat e pa lakmueshme në shitblerje si dhe sigurimin e artikujve të nevojshëm për jetesë.Tregtari korrekt me këtë punë, vepron të kundërtën e deponuesit të mallrave, pra e ngushton mundësinë e borxheve me kamatë dhe kryen një punë të respektuar humane dhe veprimtari të denjë fetare në luftimin e kamatës dhe gjërave tjera të ndaluara në fushën e transaksioneve apo të ekonomisë.
Në vazhdim do të përmendim disa argumente të cilat flasin për vyeshmërinë e tregtarit korrekt i cili punon për t’ua lehtësuar njerëzve.Njëkohësisht, kjo flet edhe për rëndësinë e ekonomisë në Islam dhe domosdoshmërinë e respektimit të rregullave fetare në transaksione:
a-Hadithi të cilin e transmenton Tirmidhiju me zinxhirin e tij prej Ebu Seidit Allahu qoftë i kënaqur me të, e ky prej të dërguarit të Allahut s.a.v.s. se ka thënë:”Tregtari korrekt dhe besnik, do të jetë në shoqëri të dërguarve të Allahut, njerëzve të sinqertë dhe dëshmorëve” (Hadithin e transmenton Tirmidhiju në Sunenin e tij, kitabu-l-buju‘ë, babu:ma xhae fi et-tuxhxhar ve tesmijetun-nebijji s.a.v.s.lehum.Imam Tirmidhiju thotë:Ky është hadith i mirë(hasen), ne e njohim vetëm përmes kësaj rruge prej hadithit të Theurijut prej Ebu Hamzës.Shih:El-Mubarekfuri, Tuhfetu-l-ahvedhij, vëll.IV, f.335).
b-Hadithi të cilin e transmenton Tirmidhiju me zinxhirin e tij të transmentuesve prej Ismail ibn Ubejd ibn Rifa’a, e ky prej babait, prej gjyshit të vet, se ky i fundit ka shkuar me të dërguarin e Allahut në faltore, dhe kur i dërguari i Allahut ia pa njerëzit duke shitur e blerë, u tha:”O tregtar!”.Ata iu përgjigjën të dërguarit të Allahut, dhe i ngritën kokat e sytë e tyre i drejtuan kah i dërguari i Allahut s.a.v.s.Atëherë, ai u tha:”Tregtarët do të ringjallen ditën e gjykimit mbrapshtanë, me përjashtim të atyre (që në tregtinë e vetë) që e kanë patur droe dhe respektuar Allahun, kanë qenë korrekt dhe të sinqertë” (Hadithin e transmenton Tirmidhiju, burimi i përmendur, dhe thotë:Ky është hadith i mirë i saktë(hasenun sahih).Shih:El-Mubarekfuri, Tuhfetu-l-ahvedhij, vëll.IV, f.336.)
Lavdërimi. i tregtarëve të sinqertë nga ana e Pejgamberit s.a.v.s , njëra anë, dhe vërejtja e tij drejtuar atyre që mos t’i tejkalojnë kufijt dhe të shkelin mbi sinqeritetin dhe korrektësinë në tregti, ka lidhje të drejtpërdrejtë me transaksionet financiare dhe ekonominë sepse ua lehtëson njerëzve që të jenë ndërmjetës mes shtresës së prodhuesve dhe konsumatorëve, e me këtë nuk lehet shprazëtirë prodhimesh dhe mallrash në treg.