Ndërmjet V. 1444 dhe V. 1445H

Husamedin Abazi

A- Viti 1444 i mblodhi plaçkat e veta dhe shkoi. Na erdhi i riu, 1445-shi e i cili na kujton se secili nga ne që e pritëm jemi edhe më afër varrit.

I gjithë njerëzimi besojnë se domosdoshmërisht çdonjëri nga ne do kalojmë andej, e ne besojmë se andej nuk do marrim asgjë me vete, pos besimin tonë dhe veprat tona, dhe mbi këto dyja ndërtohet jeta jonë ne varre (Berzah) dhe ajo që pason. Me gjithë këtë, shumë nga muslimanët i hasim se i ka angazhuar se tepërmi kjo jetë dhe e kanë lënë pas dore përgatitjen për jetën e vërtetë, e e cila është amshim, e përjetshme, xhenet ose xhehenem dhe nuk ka tjetër.

Viti 1444 ka qënë i mbushur me ndodhira jo të pakta, nga to të hidhura për njerëzimin dhe për muslimanët. Në këtë rast do merremi vetëm me këto aspekte, edhe pse ka edhe ndodhira pozitive me të cilat do merremi në një tjetër shkrim.

Prej tyre:
1. Pasojat e Pandemisë (Postpandemia)-në aspektet psiqike, shëndetësore, ekonomike, politike, tashmë të njohura për çdo vrojtues…
2. Luftërat dhe Konfliktet – s’kanë të ndalur në Ukrainë, Palestinë, Sudan…
3. Përforcimi i diktaturave të kthyera dhe nga përkrahja e tyre nga qarqet që e quajnë vetën demokratike dhe respektuese të të drejtave të njeriut, në Siri, Egjypt, Irak, Tunis, Libi…
4. Shtypja komuniste- Ujgurët e Turkistanit Lindor edhe në këtë shekull mbesin në kampe përqëndrimi nga Kina që dhunshëm i zhveshë nga feja e tyre, ndërkohë Muslimanët Rohingaja tē Majanmarit mbesin ende populli më i shtypur në botë.
5. Ekspansioni i Agjendes LG…IQ- imponimi me dhunë i martesave të të njejtëss gjini, shoqërive dhe qeverive gjithandej globit, pa i pyetur popujt dhe as realizuar Referendume për një çështje kaq të ndjeshme dhe e cila ka të bëjë me fatin e kombeve dhe shteteve gjithandej. Edhe çoroditja e përemrave vetor, ku njeriu (1) mund të identifikohet me shumës. E kjo çështja e identifikimit ka kaluar në joreale dhe qesharake (i bardhi identifikohet si i zi, burri si grua, njeriu si kafshë, etj). Edhe në vendin tonë, kurrë më shumë aktivitete dhe organizime të shtyrjes së kësaj Agjende nuk janë bërë sesa ne vitin që lamë pas (dhe ajo që është më brengosëse është se këso aktivitetesh janë organizuar edhe brenda shkollave fillore dhe të mesme!).
6. Zgjerimi i legalizimit të Prostitucionit në shtete të ndryshme në të cilat nuk ka qënë më herët.
7. Rritja e fenomenit të marrjes se fëmijëve nga prindërit e tyre natyral (emigrantëve muslimanë kryesisht) dhe “strehimin” e tyre në Qendra Sociale, duke pretenduar se prindërit e tyre nuk po i trajtojnë ata si duhet dhe po u imponojne ide në kundërshtim me planprogramet e qeverive dhe kjo sidomos ndaj familjeve muslimane si kemi parë publikisht në media rastet e Suedise, Norvegjise…
7. Rritja e numrit të shteteve që legalizojnë përdorimin e narkotikëve për masat e gjëra dhe zgjerimi i listës së llojeve të lejuara, poashtu edhe rritja e numrit të përdoruesve.
8. Ballafaqimi me ndalimin e Hixhabit në institucione zyrtare në disa vende si Franca, dhe vazhdimi i mbetjes në fuqi në vendin tonë i Udhëzimit Administrativ për ndalimin e mbuleses për nxëneset e shkollave fillore dhe të mesme.

B- Specifikisht në vendin tonë

Viti që shkoi ishte vit i telasheve dhe problemeve jo të pakta që i patëm edhe ne shqiptarët dhe Shqiperitë tona;

1. Kurrë më parë, nuk kemi pasur marrëdhënie zyrtare më të ftohura mes dy Qeverive tona, Kosovë-Shqipëri! Edhe pse populli andej dhe këndej e ndjejnë së jemi një. Megjithatë, ndoshta kjo ftohje do rezultoi me vendosjen e gjërave në vendet e veta, pasi që ato për më shumë se një dekadë kanë qënë të zhvendosura dhe mospërfillëse të interesave reale të popullit andej dhe këndej kufirit, por sidomos të pjesës këndej kufirit.Tani e kemi shansin të reflektojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin që vërtetë t’i zgjidhim disa probleme të trashëguara me dekada dhe kjo bëhët duke qënë të hapur me njëri-tjetrin dhe ndihmues siç na obligon Feja dhe Atdheu ynë i përbashkët.
2. Jemi ballafaquar me një dinamikë më të madhe me problemin e Veriut dhe bisedimet me Serbinë, gjë që kanë lëvizur gjërat dukshëm nga ajo çfarë kanë qënë më herët. Edhe pse ka nga disfatistët që e shohin se kemi zmbrapsje në këto zhvillime?!
3. Problemi i ikjes së njerëzve, dhe sidomos të rinjëve nga Kosova na ka përcjellur edhe në vitin që lamë dhe me sa duket kjo ikje do rritet edhe më shumë gjatë tre-katër muajve të parë të vitit të ardhshëm gregorian (2024).
4. Papunësia ka vazhduar të rritet, gjë që llogaritet nga shkaktarët kryesor të ikjes së njerëzve nga vendi, por jo i vetëm, pasi edhe kur ka punë kushtet janë të mjerueshme dhe pagat shumë të ulta.
5. Inflacioni (ngritja e çmimeve) të produkteve esenciale ushqimore, naftës dhe energjisë elektrike ishte një problem madhor dhe që vazhdon të mbetet vazhdimisht problem.
6. Arsimi ka vazhduar të ballafaqohet me probleme të stërmëdha dhe mendojmë se është fusha kryesore që na bën të ecim para, apo të vendnumërojmë, e kjo pa dyshim se nuk arrihet me një bugjet çfarë i ndahet arsimit dhe as me mendësinë e menagjimit të deritashëm.
7. Gjendja e mjerueshme në mjekësi, si për nga kushtet e punës dhe mjetet, barnat, korrupcioni, moskujdesi dhe sjellja denigruese, e deri të ikja e mjekëve e kryesisht infermierëve/e nga vendi.
8. Divorci mes bashkëshorteve ka vazhduar të rritet, duke i lënë vend shumë formave të tjera amorale, tregon se kriza familjare dhe shoqërore vazhdon të rritet tek ne dhe kjo tregon gjithashtu për një joseriozitet dhe paqëndrueshmëri në sistemin e tërësishëm të edukimit dhe vetëdijësimit të masës.

Dhe shumë probleme të tjera që duhet kohë dhe vija të gjata të përmenden.

C- Krejt në fund, po i kthehem edhe një herë përfundimit të vitit 1444 dhe mesazhit të domosdoshëm për çdonjërin nga ne veç e veç, e ai është se do duhej që secili nga ne të kuptoj se çdo gjë që ka fillim, ka edhe mbarim, dhe se vetëm pas 120, apo 130 viteve, asnjë njeri që është sot gjallë, nuk do jetë i gjallë, dhe se neve që Allahu na e mundësoi të presim vitin 1445 do duhej t’i kthehemi vitit paraprak të bëjmë analizë të planeve dhe realizimit apo mosrealizimit të tyre dhe planifikimit të vitit të ri, duke marrë mësim nga pesimet dhe lëshimet e vitit të shkuar dhe duke i avancuar sukseset dhe arritjet e vitit të shkuar dhe njëkohësisht duke i shtuar ambiciet dhe projektet për realizimin e planifikimit të vitit të ri. Dhashtë Zoti e ta keni vitin 1445 vit të sukseseve dhe arritjeve tuaja maksimale që kanë të bëjnë me këtë botë dhe atë të ardhshmen, inshaAllah!

Nga: Husamedin Abazi