Ndërtesat e fabrikave të vjetra po shndërrohen në xhami

Një hulumtim i zhvilluar në Danimarkë tregon se numri i xhamive në këtë shtet është rritur nga 115 në 170, raporton Anadolu Agency (AA).

Prof. Dr. Lene Kühle nga Universiteti Arhus së bashku me asistentin e saj Malik Larsen ka zhvilluar një hulumtim lidhur me numrin e xhamive në vend.

Sipas këtij hulumtimi numri i xhamive në Danimarkë nga 115 sa ishte deri në vitin 2006 është rritur në 170 për dhjetë vite.

Ky hulumtim u zhvillua pas kërkesës së Partisë Liberale Venstre, Partisë Social-Demokrate dhe partive të së djathtës ekstreme Partia Popullore e Danimarkës dhe Partia Popullore Konservatore, për përditësim të hulumtimit të vitit 2006.

Më tej thuhet se kjo rritje e numrit të xhamive ka ndodhur për shkak të rritjes së popullsisë muslimane në shtet.

Sipas ligjeve, në Danimarkë nuk bëhet regjistrimi i popullsisë sipas përkatësisë fetare, por parashikohet se 7 për qind e popullsisë së Danimarkës, e cila përbëhet nga 5.7 milionë banorë i takon fesë muslimane.

29 prej tyre i përkasin Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare

Gjithashtu bëhet e ditur se 29 nga 170 xhami në Danimarkë janë në kuadër të Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare në Danimarkë ndërsa financimi i këtyre xhamive bëhet nga anëtarët e shoqatës.

Në Danimarkë zakonisht ndërtesat e fabrikave të vjetra po shndërrohen dhe përdoren si xhami. Kurse xhamia e parë turke, e cila është ndërtuar që nga themeli është xhamia “Hedehusene Fetih”, e cila ishte hapur për ibadet në vitin 2014.