Ndeshje vendimtare në Ferizaj, Vllaznia pret Besën

Java e 21-të në elitën e futbollit kosovar është drejt mbylljes pasi janë zhvilluar pesë ndeshje.

E ndeshja e fundit e kësaj xhiro do të zhvillohet ditën e sotme në qytetin e Ferizajt.

Ishte paraparë fillimisht që Vllaznia dhe Besa të luanin të dielën në Gjilan por ndeshja është shtyrë për 24 orë.

Shkak për këtë ishte terreni i rënduar në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe ndeshja mes Vllaznisë dhe Besës do të zhvillohet në Ferizaj.

Pozhoranasit në këtë takim vijnë pas barazimit pa gola 0-0 me Drenicën javën e kaluar.

Ndërkohë Besa e Pejës kishte pësuar humbje në shtëpi nga kampioni në fuqi Trepça ’89.

Kjo ndeshje pritet të jetë vendimtare për të dyja skuadrat, pasi në rast fitoreje të Vllaznisë, atëherë pozhoranasit do t’i ngjallnin shpresat për barazh.

Ndërkohë Besa që ka rënë në pozitën e 11-të kërkon të marrë pikë për ta kaluar Flamurtarin.