Ndihma për zjarret, operacionet e helikopterëve nga Holanda nisin të shtunën

Ambasada holandeze në Tiranë bën me dije se në ndihmë të Shqipërisë për të përballuar vatrat e zjarrit, qeveria e Holandës do të dërgojë dy helikopterë dhe 47 ushtarë.

Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Ank Bijleveld përmes një reagimi në Twitter shprehet se ndihma për Shqipërisë ka si synim kryesor mbrojtjen e zonave të banuara nga zjarri si dhe parandalimin e djegies së pyjeve.

“Na vjen mirë që mund të ndihmojmë Shqipërinë dhe të mbrojmë pyjet nga zjarri. Një rezervë unike e natyrës”, është shprehur ministrja holandeze e Mbrojtjes, Ank Bijleveld.

Në ndihmë të vendit tonë do të vijnë helikopterë Chinook, që mund të lëshojnë deri në 10 mijë litra ujë dhe janë në gjendje të fluturojnë në vende të vështira.

“Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet shqiptare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë”, thuhet në reagimin e ambasadës holandeze në Tiranë.

Gjithashtu në ndihmë të Shqipërisë, pritet që dhe Çekia të dërgoi një helikopter të specializuar për fikjen e zjarreve.

Në një komunikatë të Komisionit Evropian thuhet se vendet anëtare të BE do t’u ofrojnë ndihmë në luftën ndaj zjarreve Italisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Franca ka dërguar dy aeroplanë “Canadair” në ndihmë të Italisë, dy avionë të Qipros kanë shkuar në ndihmë të Greqisë kurse Sllovenia ka dërguar një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut. /euronews