Ndizet sfida Shqipëri-Maqedoni

Tifozët kuqezi të pranishëm në Shkodër do të vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. Mijëra bileta të shitura në Kosovë, por edhe grupime të tifozëve shqiptarë nga Maqedonia.

Sipas shifrave zyrtare 500 tifozë do të udhëtojnë në mënyrë të organizuar me autobusë dhe mjete personale nga Tetova, Kumanova dhe Shkupi. Me koreografitë e tyre të jashtëzakonshme, ata pritet të jenë mes grupimeve më të zjarrtë në ndeshjen e 5 Shtatorit kundër Maqedonisë.

Mjafton të kujtosh këtu spaktaklin që dhurojnë “Ballistët” në ccdo ndeshje të kampionatit të Shkëndijës së Tetovës, ku si pjesë e dekorit nuk mungojnë në asnjë rast simbolet kombëtare.

Një provë e mbështetjes së jashtëzakonshme ishte ndeshja e fazës play-off të Europa League, ndaj Gent, ku të pranishëm në stadiumin e Shkupit ishin afro 30 mijë tifozë, që shënuan një rekord pjesëmarrje për impiantin por edhe një rekord përsa i takon mbështetjes së klubeve shqiptare.

Të gjithë janë gati, që atmosfera të jetë elektrizuese edhe në mbështetje të Kombëtares shqiptare këtë të hënë në “Loro Borici.”