Në Aeroportin e Vjenës kapet kosovari i dyshuar për vrasje

Në gusht të këtij viti në Vjenë-Ottakring ishte vrarë një person me thikë. Të mërkurën është kapur në aeroportin Schwechat një kosovar i dyshuar si autor i kësaj vrasjeje, shkruan austria.at.

Vrasja kishte ndodhur pas një sherri në mes të tre personave. Një person 28 vjeçar kishte mbijetuar i plagosur rëndë ndërsa 37 vjeçari kishte vdekur në spital.

Një zëdhënës i policisë ka thënë për mediat se kosovari është duke u mbajtur në burg.

Ndaj tij ishte shpallur një fletarrest për gjithë shtetet e BE-së. Të mërkurën ai ka fluturuar nga Prishtina në drejtim të Austrisë, transmeton albinfo.ch.

“Në orën 14.30 ai, me rastin e hyrjes në territorin austriak është arrestuar nga hetuesit e Entit Kriminalistik me mbështetjen e Policisë së Aeroportit”, ka thënë zëdhënësi.

Gjatë marrjes në pyetje, kosovari 38 vjeçar ka bërë përpjekje për të arsyetuar aktin e tij. “Por, në parim, ai ka pranuar fajësinë”, tha zëshënësi.