Në Baku mbahet takimi i Bordit Këshillimor të Korridorit Jugor të Gazit, merr pjese edhe kryeministri Rama

Në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, po mbahet Mbledhja e 10-të e Bordit Këshillimor të Korridorit Jugor të Gazit, ndërsa pjesëmarrës është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjithashtu ka mbajtur një fjalim, raporton Anadolu.

Përveç kryeministrit Rama dhe mikpritësit, presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, marrin pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Energjinë, Kadri Simson, ministra dhe zyrtarë të lartë nga 23 shtete përfshirë Turqinë, SHBA-të, Italia, Rumania, Gjeorgjia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Uzbekistani, Emiratet e Bashkuar Arabe (EBA) dhe të tjerë.

– Gazi që Evropa do të blejë nga Rusia do të ulet në zero

Kryeministri Rama, në fjalimin e tij tha se, Korridori Jugor i Gazit aktivizon bashkëpunimin rajonal dhe vepron si urë lidhëse.

“Korridori Jugor i Gazit është një rrugë e besueshme. Gazi që vjen nga Rusia në Evropë ka rënë nga 40 për qind në 8 për qind. Kjo shifër në periudhën e ardhshme do të ulet në zero”, u shpreh ai.

Duke u shprehur se po punojnë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me energji të gjelbër, Rama theksoi se Korridori Jugor i Gazit jep një kontribut të madh në zhvillimin e qëndrueshëm.

Presidenti Aliyev, theksoi se gazi natyror i Azerbajxhanit i dërguar përmes Korridorit Jugor të Gazit është një burim i ri dhe i besueshëm për Evropën.

“Në periudhën e fundit kemi negociuar me miqtë tanë turq për pjesëmarrjen e Turqisë në Gazsjellësin Transballkanik”, tha Aliyev, duke shtuar se po eksportojnë gaz në 8 vende përfshirë 6 vende evropiane.

Kurse komisioneri Simson, njoftoi se vendet e BE-së vitin e kaluar kanë marrë 11 miliardë metrakubë gaz natyror nga Azerbajxhani.

“Azerbajxhani është një partner i besueshëm. Ekziston një potencial i fortë për konsolidimin e bashkëpunimit tonë. Vendet evropiane duan të blejnë më shumë gaz nga Azerbajxhani. Gazi i Azerbajxhanit do të luajë një rol të madh në sistemin energjetik të Evropës”, u shpreh ai, duke shtuar se Korridori Jugor i Gazit është një histori suksesi.