Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në Ditën Botërore të Refugjatëve, kreu i UNHCR: Mbrojtja e refugjatëve po...

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, kreu i UNHCR: Mbrojtja e refugjatëve po kërcënohet më shumë se kurrë

Filippo Grandi

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, dha një paralajmërim të fortë për rritjen dramatike të numrit të njerëzve të zhvendosur me forcë dhe sfidat gjithnjë e më të mëdha që po përballen për shkak të shkurtimeve të ndihmave humanitare.

“Mbi 122 milionë njerëz në mbarë botën – burra, gra dhe fëmijë – janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Por aftësia e tyre për të gjetur siguri dhe mbështetje po cenohet si kurrë më parë,” tha Grandi në një deklaratë zyrtare.

Ai përmendi konfliktet e vazhdueshme në Sudan, Ukrainë, Republikën Demokratike të Kongos dhe Gaza si faktorët kryesorë që po shkaktojnë “vuajtje njerëzore të paimagjinueshme” dhe kritikoi dështimin global për t’i dhënë fund luftërave dhe për të trajtuar shkaqet e tyre.

Grandi dënoi gjithashtu stigmatizimin e civilëve të pafajshëm që largohen nga dhuna, duke theksuar se kjo e vështirëson edhe më shumë shpëtimin e tyre dhe mundësinë për të ndërtuar një jetë të re.

Ai bëri thirrje për solidaritet urgjent dhe konkret, duke vlerësuar vendet dhe komunitetet që, megjithëse me burime të kufizuara, vazhdojnë të mirëpresin refugjatët.

“Qoftë shtetet e pasura, bankat zhvillimore, bizneset apo të tjerë aktorë – ne mundemi dhe duhet t’i ndihmojmë këto vende dhe komunitete përmes ndarjes së përgjegjësisë,” tha ai.

Këtë Ditë Botërore të Refugjatëve, Grandi e shënoi nga Siria, ku deklaroi se rreth 2 milionë njerëz janë kthyer në shtëpi që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asad në dhjetor të vitit të kaluar.

“Sot takova familje siriane që janë kthyer pas më shumë se një dekade në mërgim. Gëzimi i tyre i thellë është një kujtesë prekëse e dëshirës së zjarrtë që kanë refugjatët për të qenë sërish në atdhe,” tha ai.

Megjithë krizën në përkeqësim, Grandi theksoi se edhe në këto kohë të trazuara, “ekzistojnë momente shprese të thellë.” Ai u bëri thirrje aktorëve ndërkombëtarë të veprojnë tani, për të mbrojtur këtë shpresë dhe për të ndihmuar në rindërtimin e jetëve të rrënuara. /mesazhi