Ballina Artikuj Në Izrael të gjithë kanë luajtur nga fiqiri!

Në Izrael të gjithë kanë luajtur nga fiqiri!

Gideon Levy

Kur marrëzia kolektive buzëqesh përballë luftës…

Nga Gideon Levy, Haaretz

Në Izraelin e sotëm, arsyeja duket se e ka humbur udhën. Një valë marrëzie kolektive ka përfshirë ekspertët, politikanët dhe publikun, të cilët vrapojnë drejt strehimoreve me një buzëqeshje paradoksale në fytyrë.

Ata e lartësojnë luftën me Iranin si një “bekim”, duke e kthyer ankthin e rrezikut në një lloj ekstaze që të bën të ndiesh mall edhe për atmosferën e vitit 1967. Diskursi publik ka rënë në nivele banalizimi të paprecedenta.

Pyetja që shtrohet natyrshëm është: kush e përcaktoi se koha e luftës, duhet të jetë domosdoshmërisht kohë e budallallëkut? Kur gjëmojnë topat , jo vetëm që heshtin mendjet e arsyeshme, por ato po zëvendësohen nga një kakofoni tallëse që thyen çdo rekord të mëparshëm të turpit dhe mungesës së logjikës.

Sot, në vend të debateve serioze, hapësira mediatike mbushet me këngë lavdie dhe kllounada ushtarake. Ajo që dikur konsiderohej patriotizëm, sot është shndërruar në një ambalazh të zbrazët klishesh. Analistët e mirëfilltë janë zëvendësuar nga figura rrethanore, ish-futbollistë apo policë, që po na shiten si zëra të moralit dhe mençurisë, ndërsa gazetaria e vërtetë lëngon në hije.

Kjo “orgji” festive ushqehet nga mungesa e mbulimit real të pasojave të luftës. Për dy vjet e gjysmë, publiku është ushqyer me një propagandë që shmang vuajtjet në Gaza dhe përqendrohet te shkëlqimi i rremë i armatimeve.

Çdo sulm ushtarak kthehet në arsye për festë, ndërsa fitimi monetar nga shitja e armëve shihet si “shpërblimi i ri hyjnor”. Në studiot televizive, nuk po njeh asnjë kufi nxitja e urrejtjes dhe euforia për pasurimin përmes luftës.

Ndërsa bota diskuton me shqetësim mbi pasojat gjeopolitike, në Izrael flitet për “pushtimin” e tregjeve të huaja dhe fitimet e miliardave. Ky mjedis ka krijuar një standard të dyfishtë ku anashkalohen krimet e kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, ndërsa çdo zë kritik etiketohet si “tradhtar”.

Përpjekja për të gjetur një mendim inteligjent në këtë “re radioaktive” marrëzie është e dënuar të dështojë Ndërsa mediat e huaja pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm në Liban e Iran, mediat vendase raportojnë banalitete, duke e lënë shoqërinë në një gjendje dehjeje kolektive.

Fitorja po trumbetohet si një “profeci fetare”, duke injoruar rrezikun se e gjithë kjo aventurë mund të përfundojë në lot e gjak. /tesheshi