
Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka propozuar rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, një marrëveshje për rotacionin e postit të kryeministrit, ndërsa palët pritet të zhvillojnë të dielën bisedime për formimin e koalicionit.
Eisenkot, i cili është ngarkuar nga presidenti i Izraelit për formimin e qeverisë së re, tha se është i gatshëm të zhvillojë menjëherë bisedime për të parë nëse Netanyahu është serioz për një marrëveshje uniteti.
“Nëse Likud është gati për unitet të vërtetë, jam i gatshëm të shoh se sa serioz është gjatë 24 orëve të ardhshme”, tha Eisenkot. Ai e ftoi Netanyahun në negociata për çështjet kryesore politike dhe drejtimet e qeverisë së ardhshme.
Pak më vonë, partia e Netanyahut, Likud, njoftoi se ai do të takohet me Eisenkotin të dielën në mëngjes për bisedime mbi koalicionin.
Netanyahu tha më herët se ishte i gatshëm që Eisenkoti të shërbente i pari si kryeministër në një marrëveshje rotacioni, në kuadër të një qeverie të unitetit.
Ai argumentoi se Likud ka më shumë vende në parlament sesa partia Yashar e Eisenkotit dhe se, në kushte normale, ai duhet ta drejtonte qeverinë. Megjithatë, Netanyahu tha se, për shkak të asaj që e cilësoi si rrezik ekzistencial dhe nevojës për një qeveri të aftë për t’u përballur me të, ishte i gatshëm të hiqte dorë nga ky parim.
Sipas propozimit, Eisenkoti do të merrte fillimisht postin e kryeministrit, ndërsa Netanyahu do të shërbente si kryeministër alternativ.
Eisenkoti ka deklaruar se synon të njoftojë formimin e qeverisë së re deri në afatin zyrtar të 6 dhjetorit, pa kërkuar zgjatjen shtesë prej 14 ditësh.
Ai më herët e ka akuzuar Netanyahun për zvarritje të bisedimeve të koalicionit, me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Zgjedhjet e 27 tetorit nuk i dhanë shumicën e qartë asnjërit prej dy blloqeve. Aleanca tradicionale e Netanyahut, e përbërë nga partitë e djathta ekstreme dhe partitë ultraortodokse, fitoi 53 vende, ndërsa Eisenkoti dhe aleatët e tij të mundshëm morën 48 vende në parlamentin me 120 deputetë.
Propozimi i Netanyahut vjen në një kohë kur Eisenkoti po fiton mbështetjen e disa partnerëve të mundshëm, të cilët mund t’i mundësojnë formimin e një shumice qeverisëse.
Megjithatë, kreu i grupimit Demokratët, Yair Golan, e ka kundërshtuar propozimin, duke e akuzuar Netanyahun për “taktika mashtruese” dhe duke kërkuar formimin e një qeverie të re.
Edhe kreu i Listës së Përbashkët, aleancë e partive arabe, Yousef Jabareen, e akuzoi Netanyahun se po përpiqet të pengojë ndryshimin e qeverisë. /mesazhi




