Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Disa raketa të Huthëve interceptohen mbi Arabinë Saudite

Disa raketa të Huthëve interceptohen mbi Arabinë Saudite

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen njoftoi të dielën herët se mbrojtja ajrore ka interceptuar dhe shkatërruar tre raketa balistike të lëshuara nga rebelët Huthi drejt Arabisë Saudite.

Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki, tha se dy nga raketat ishin drejtuar drejt Provincës Lindore, ndërsa një tjetër drejt kryeqytetit Riad. Pas interceptimit të dy raketave mbi Provincën Lindore, mbetje ranë në disa zona, por nuk pati të lënduar në mesin e civilëve.

Al-Maliki tha se koalicioni do t’u përgjigjet përpjekjeve për të goditur civilët dhe infrastrukturën civile.

Në një deklaratë tjetër, koalicioni njoftoi se kishte shkatërruar një platformë për lëshimin e raketave balistike në provincën veriore Saada të Jemenit, e cila, sipas tij, ishte përdorur nga Huthët për të sulmuar qytetin saudit Jazan.

Të shtunën, koalicioni tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar pesë raketa të lëshuara nga Huuthët drejt Arabisë Saudite. Ndërkohë, Mbrojtja Civile saudite lëshoi tetë alarme emergjente në zona të ndryshme të vendit.

Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë të rritjes së sulmeve me raketa dhe dronë nga Huthët kundër Arabisë Saudite.

Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga viti 2014, kur Huthët morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të pjesëve të tjera të vendit. Arabia Saudite udhëheq një koalicion ushtarak që nga marsi i vitit 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Përshkallëzimi i ri mes forcave qeveritare dhe Huthëve nisi në korrik, pas dështimit të armëpushimit të arritur në vitin 2022. /mesazhi