Rrugëtimi shpirtëror dhe shërimi i Zeynep Van de Weijer përmes besimit
Zeynep (Ashana) Van de Weijer, një holandeze e konvertuar në Islam, thotë se jeta e saj ka ndryshuar thellësisht – si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht – që kur ka përqafuar besimin.
“Ndjeva diçka në xhami që më jep ende të dridhura”– tha Van de Weijer për Anadolu Agency. “Ndihesha shumë ngrohtë dhe e mirëpritur. Në atë moment, mendova se kishte më shumë në Islam. Pas kësaj, nuk u sëmura më kurrë. Jam i lumtur dhe madje edhe duart e mia janë shëruar”- shton ajo.
Van de Weijer punon në njësinë e paraburgimit të një stacioni policie në Limburg, në jug të Holandës. Përpara se të konvertohej, ajo vuante nga një sëmundje autoimune që çoi në depresion.
“Kalova një periudhë të vështirë. Mora një lloj kimioterapie dhe kisha ekzemë në duar dhe këmbë. Nuk dilja më jashtë dhe nuk ndihesha mirë”- tha ajo. Rreth dy vjet e gjysmë më parë, ajo iu drejtua Islamit.
Ekspozimi i saj i parë erdhi përmes mediave sociale. “Një ditë, pashë postime rreth Islamit në Instagram. Mendova të blija një Kuran. E bleva dhe fillova ta lexoja. Pastaj fillova të bëja kërkime më të thella”- rrëfen ajo.
Vizita e saj e parë në një xhami me miqtë la një përshtypje të paharrueshme. “U ndjeva shumë e mirëpritur. Kuptova se Islami ishte ndryshe. Pas kësaj, nuk u sëmura më kurrë” – shprehet Van de Weijer.
Ajo zgjodhi emrin Zeynep pasi u konvertua, një emër që mbart të njëjtin kuptim me emrin e saj të lindjes. Gruaja jeton në Heerlen me tre macet e saj. Van de Weijer thotë se tani si myslimane, agjërimi i Ramazanit është më i lehtë.
“Më parë, provoja agjërimin, por kisha vështirësi. Tani është më e lehtë, Elhamdulilah”– thotë ajo. Sipas saj, Ramazani mund të jetë sfidues për të konvertuarit që janë vetëm, por mbledhjet për Iftar në komunitet dhe kujtimet e ndarjes së vakteve me fqinjët turq të gjyshes së saj e ndihmojnë shumë.
Ndarja e besimit të saj me familjen pati sfidat e veta. Mbështetja e nënës së saj ishte thelbësore. “Ajo më tha: Nëse je e lumtur në këtë rrugë, nuk më intereson se çfarë beson. Për sa kohë që je e lumtur, unë jam me ty. Të nesërmen, shkova në xhami dhe recitova Shehadetin (deklaratën e besimit)” – dëshmon Van de Weijer.
Më vonë ajo mori një certifikatë zyrtare konvertimi në Xhaminë Fatih në Roermond, e lidhur me Fondacionin Holandez Diyanet (HDV). Komuniteti i xhamisë e priti ngrohtësisht, duke i dhënë asaj ndjesinë e fillimit të një kapitulli të ri.
Marrëdhënia e saj me të atin, deri në atë moment e ftohtë dhe e distancuar, u përmirësua pasi ajo u konvertua. “I thashë: Babi, nuk jam më vajza që ti le pas. Tani jam myslimane. Ai e pranoi menjëherë”- tha ajo. Lidhja e tyre u forcua pas konvertimit të saj. “Ai më tha: Unë kam pasur gjithmonë një vajzë të mirë, por tani nuk kam asnjë shqetësim fare…”- kujton Zeynep.
Një nga aspektet e Islamit që i bën më shumë përshtypje asaj është dera e hapur për pendim. “Edhe nëse mëkatojmë, gjithmonë mund t’i drejtohemi për falje Allahut. Ky është një nga aspektet më të bukura të Islamit” – thotë Van de Weijer. /tesheshi



